Treg i përbashkët energjetik Shqipëri-Kosovë, zhvillohet ankandi i parë. Sa mbërriti çmimi mesatar?

2 Shkurt 2024, 13:39Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

1 shkurti shënon bashkimin zyrtar të tregut energjetik Shqipëri – Kosovë, me lëvrimin e energjisë së tregtuar një ditë më parë në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike, ALPEX. Sipas të dhënave zyrtare, volumi i tregtuar arriti në një sasi modeste prej 2 482 mWh, ndërkohë që çmimi mesatar me të cilin u tregtua energjia është 111.38 euro/ mWh.

Operimi i Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike nisi në prill të vitit të kaluar, ndërkohë që bashkimi i zonave të ofertimit Shqipëri–Kosovë ishte pjesë e planit, për të mundësuar një treg më të gjerë. Gjithsesi, sfidë mbetet sigurimi i likuiditetit të nevojshëm, që përfshin numrin e kompanive të listuara dhe volumet e tregtuara në këtë platformë.

Aktualisht, janë 21 kompani të anëtarësuara, teksa pjesa dërrmuese janë kompani shqiptare. Më konkretisht janë 17 kompani nga Shqipëria, ku përfshihen edhe 5 kompanitë publike të energjisë, dhe 4 kompani nga Kosova. 2 prej këtyre të fundit janë publike dhe 2 të tjerat, private.

Tregtimi i energjisë në bursë paraqet një sërë avantazhesh, duke nisur nga sigurimi i një tregu transparent dhe konkurrues të energjisë elektrike në bazë orare, duke mundësuar që çmimi i energjisë pasqyron vlerën e vërtetë dhe të drejtë të energjisë elektrike në sistem.

Gjithsesi, kjo varet ndjeshëm nga likuiditeti i saj. Po ashtu, krijimi i një tregu të përbashkët energjetik paraqet avantazhe për të dy shtetet, duke mundësuar edhe rritje të sigurisë energjetike.

Video