Individët marrin më shumë kredi, lënë si garanci bono dhe obligacione

4 November 2024, 10:36Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Individët marrin më shumë kredi, lënë si garanci bono

Përdorimi i bonove dhe obligacioneve të qeverisë si kolateral për kreditë bankare po rritet për të katërtin vit radhazi.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se për 9-mujorin 2024 vlera e letrave me vlerë të borxhit qeveritar të vendosura si kolateral për kreditë bankare arriti në 1.43 miliardë lekë, në rritje me 37% krahasuar me një vit më parë.

Përdorimi i titujve të borxhit si kolateral për kreditë dominohet nga individët, me një vlerë totale prej 1.25 miliardë lekësh. Kjo vlerë ishte 232% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, në segmentin e bizneseve, vlera e vendosjes së bonove si kolateral ra në 181 milionë lekë, 73% më pak krahasuar me një vit më parë.

Në numër transaksionesh, titujt e qeverisë u vendosën si kolateral në 363 raste, shifër kjo 585% më e lartë krahasuar me një vit më parë.

Të dhënat e AMF-së tregojnë se janë kryesisht tre banka tregtare që kanë pranuar titujt e qeverisë si kolateral, Raiffeisen Bank Albania, Credins Bank dhe Banka OTP Albania.

Titujt qeveritarë ofrojnë disa avantazhe për bankat, në raport me llojet e tjera të kolateralit të përdorur gjerësisht, kryesisht pasuritë e paluajtshme. Titujt financiarë janë më likuidë dhe më të lehtë për t’u vlerësuar në krahasim me tipet e tjera të pasurive.

Procedurat e ekzekutimit, në rastet e mosshlyerjes së detyrimeve, janë më të shpejta dhe me më pak kosto në krahasim me tipet të tjera të kolateraleve apo garancive të ofruara. Kjo në përgjithësi reflektohet në normë më të ulët të interesit për kreditë e siguruara me bono thesari dhe obligacione.

Megjithëse në përgjithësi kolaterali në formën e bonove ose obligacioneve është një garanci që ofron avantazhe për bankat, falë riskut të ulët dhe likuiditetit të lartë, sipas ekspertëve të sektorit bankar sigurimi i kredive me këtë lloj kolaterali ka edhe disa problematika.

Një projej tyre është e lidhur me vlerën e tregut të titullit të ofruar si kolateral. Nëse në momentin e ekzekutimit të pasurisë vlera e tregur ka rënë nën vlerën e detyrimit që ka klienti ndaj Bankës, atëherë një pjesë e detyrimit mund të mbetet e pashlyer.

Megjithatë, për të shmangur këtë problem, përveç koefiçentit të mbulimit pak më të lartë se vlera e kredisë, Banka gjithashtu kryen kontrolle periodike të vlerave të tregut të kolateraleve tituj. Banka ka të drejtë që në momentin që konstaton se vlera e kolateralit të ofruar ka rënë nën limitin e lejueshëm, të kërkojë nga klienti shtimin e vlerës së kolateralit.

Sipas bankierëve, çështjet ku paraqiten nevoja për përmirësim janë mundësia e regjistrimit të bllokimit të titullit në favor të bankës në listat e regjistrit të titujve pranë Bankës së Shqipërisë apo mundësia e bllokimit dhe regjistrimit të kalimit të pronësisë së titujve në favor të bankës huadhënëse, në rastet kur banka të tjera janë kujdestare të titujve të lëna si kolateral./Monitor


Video