Administrata Tatimore paralajmëroi bizneset e ndërtimit se kush nëndeklaron pagat e punonjësve do të hyjë në hetim të thelluar duke përfshirë dhe origjinën e parave.
Përmes një letre dërguar ndërtuesve, të cilët janë identifikuar me risk nga sistemi, administrata i ka vënë ata në dijeni se transaksionet me burime të dyshimta do të hetohen në bashkëpunim me agjencitë e tjera të ligjit.
Këto masa vijnë në kuadër të zbatimit të Planit Sektorial për Ndërtimin dhe rritjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore. Sipas Tatimeve, duke filluar nga data 16 janar administrata ka nisur kontrollet në terren.
Më poshtë mesazhi, që Tatimet u kanë dërguar tatimpaguesve të identifikuar me risk në sektorin e Ndërtimit;
I/E nderuar
Administrata Tatimore ka filluar zbatimin e planit në Sektorin e Ndërtimit (Procesi i ndërtimit dhe aktiviteteve ndihmëse të tij), me qëllim ndërgjegjësimin e tatimpaguesve, por edhe masat për deklarim real dhe në kohë të detyrimeve tatimore.
Administrata Tatimore disponon të dhëna për Ju, të marra nga APT, Organet e qeverisjes vendore, Agjencitë imobilare, deklaratat tatimore, listëpagesat mujore, faturat e fiskalizuara të vetëdeklaruara, ajo që furnitorët tuaj deklarojnë për furnizime mallrash dhe shërbimesh ndaj jush, etj.
Administrata Tatimore ju nxit të përmbushni detyrimin në lidhje me:
· Deklarimin e çdo punonjësi të punësuar
· Deklarimin real të pagave mbi bazën e profesionit dhe tregut të Punës *
· Për cdo shitje/transaksion të kryer nga ana juaj lëshimin e faturave te fiskalizuara me NIVF/ NSLF (përfshirë edhe parapagimet)
· Blerjen e çdo malli/shërbimi me faturë të rregullt tatimore
· Deklarimin me saktësi e të dhënave në regjistrin e Tatimpaguesit
· Deklarimin e saktë të kontratave të qiramarrjes së ambjenteve
· Përdorimin vetëm të softëare-ve të çertifikuara të fiskalizimit
Mospërmbushja e pikave të mësipërme dhe çdo sjellje mospërmbushëse me qëllim shmangien tatimore që vihet re në analizat e Administratës Tatimore, Ju kategorizon si subjekt me risk, ndaj do të ndërmerren veprime verifikuese dhe monitoruese nga ana e strukturave te Administratës Tatimore.
Ndërsa mosdeklarimi i punonjësve dhe nëndeklarimi i pagave të tyre konsiderohet një shkelje e rëndë pasi cënon garantimin e sigurimeve shoqërore dhe pensioneve. Për këtë qëllim ndaj çdo tatimpaguesi të vlerësuar me këtë risk do ndërmerren hetime dhe kontrolle të thelluara për çdo proces të aktivitetit tëtyre, duke përfshirë edhe transaksionet me burime të ardhurash të dyshimta në bashkëpunim edhe me agjenci të tjera ligjzbatuese.
Mbetemi me besimin se Ju do ta vlerësoni dhe mirëkuptoni këtë thirrje, e cila ka si qëllim jo vetëm uljen e informalitetit në ekonomi, por gjithashtu për të vendosur drejtësinë sociale ndaj punonjësve tuaj./Kapitali.al