
Është hapur gara për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano. 15 kompani ndërkombëtare kanë shprehur interes për ndërtimin e portit të ri.
I pranishëm është edhe kryeministri Edi Rama, i cili tha se zhvendosja e portit tregtar në periferi i jep zgjidhje një plage mjedisore, por dëmtimin e imazhit për qytetin e Durrësit.
“E shkuara jonë është njësoj si porti i Durrësit në qendër të qytet. Një plagë mjedisore, një plagë fizike që ka bërë në vazhdimësi dëm të madh për perspektivën dhe imazhin, por edhe një plagë në aspektin socio-ekonomik, se gjithë ajo rrëmujë e kaos ka qenë një zonë e errët e veprimtarive të paligjshme dhe kriminale. Largimi i portit tregtar nga qendra e qytetit dhe vendosja këtu, tërësisht me një tipologji, me karakteristika dhe përmasa të reja është hapja e një kapitulli të ri në historinë e qytetit, por edhe në historinë e ekonomisë sonë kombëtare”, tha Rama.
Rama tha se në këtë port pritet që të ketë edhe një bazë ushtarake të NATO-s.
Do jetë vetëm një port që do impaktojë PBB, por do impaktojë edhe sigurinë tonë se siç e ka paraparë grupi i projektimit, do ketë edhe krahun e vet ushtarak, duke i ofruar natos bazë të re ushtarake me parametra optimalë. Ky port që ndërtohet nga e para, është një porti i ri në Europë pas shumë dekadash.
Ndërtimi i portit të ri tregtar të Porto Romanos pritet të përfundojë brenda vitit 2026. Kostoja totale e këtij projekti që do të financohet me fonde buxhetore sipas projektbuxhetit të vitit 2024 do të jetë 43 miliardë lekë ose rreth 427 milionë euro. Porti tregtar po zhvendoset në Porto Romano, për shkak se në Durrës do të ndërtohet porti turistik.
Me autoritet prokurues Autoritetin Portual të Durrësit procedura e tenderimit hapet sot dhe mbyllet më 16 shtator, ndërsa kohëzgjatja e kontratës është përllogaritur në 40 muaj.