Çfarë po ndodh me ndërtimin? Rritet kreditimi, energjia dhe pagat. A janë këto kosto të reflektuara në shtrenjtimin e apartamenteve?

5 Shtator 2024, 09:31Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Të dhënat e fundit për sektorin e ndërtimit flasin për rritje të kreditimit, rritje të çmimit të energjisë apo të pagave, por gjithashtu flasin dhe për rritje të lejeve të ndërtimit e paralel me këto rritje të çmimeve të apartamenteve. A janë të justifikuara këto kosto kur nga Censi i fundit mbi 40 përqind e apartamenteve janë të pabanuara?

Por statistikat zyrtare flasin për të kundërtën 

Sipas INSTAT, Indeksi i Kushtimit në Ndërtimit në 3 mujorin e dytë të vitit u rrit në 112.3 duke treguar një shtrenjtim të kostove totale  të cilat përkthehen edhe në çmimin fundor.

“Indeksi i Kushtimit në Ndërtim, në tremujorin e dytë 2024 arriti 112,3, kundrejt tremujorit të katërt 2021 si periudha bazë. Ndryshimi vjetor i Indeksit të Kushtimit në Ndërtim në tremujorin e dytë 2024 është 2,5 %, një vit më parë ky ndryshim ishte 4,7 %.”

Shkaqet kryesore për këtë shtrenjtim referuar Instituti të Statistikave, janë rritja e shpenzimeve për energjinë por dhe zëri i pagave.

“Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime energjie” me 5,9 %, pasuar nga grupet “Shpenzime për paga” me 3,8 %, “Shpenzime transporti” me 3,5 %, “Kosto të tjera” me 2,1 %, “Shpenzime makinerie” me 1,6 % dhe “Shpenzime materiale” me 1,1 %.”

Janë materialet hidrosanitare, të ndërtimit por dhe ato elektrike dhe komunikimi që ndikuan më së shumti në rritjen e çmimeve të grupit të materialeve.

Kredia për ndërtim arrin vlerën më të lartë në 8 vjet

Po kështu kredia për sektorin e ndërtimit i është kthyer rritjes këtë vit dhe ka prekur nivelet më të larta për të paktën tetë vitet e fundit.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, për shtatë muajt e parë të vitit, vlera e kredisë së re për këtë sektor arriti në 28.4 miliardë lekë, 39% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në total, portofoli aktiv i kredisë ka arritur vlerën e rreth 76 miliardë lekëve, në rritje me 7% krahasuar me një vit më parë.

Shifrat rekord të kredisë për ndërtimin po ndjekin ciklin pozitiv të sektorit, që në vitet e fundit ka qenë ndër kontribuuesit kryesorë të rritjes ekonomike. Gjithashtu, ndërtimi duket të jetë një ndër sektorët që po mbështet rritjen e shpejtë të kreditimit të ekonomisë gjatë këtij viti.

Megjithatë, në një masë të konsiderueshme kjo rritje mund të jetë e lidhur edhe me financimin e projekteve të rëndësishme të infrastrukturës rrugore, të llojit të partneritetit publik-privat.

Për sa i takon ndërtimeve rezidenciale dhe atyre të pasurive të paluajtshme në përgjithësi sektori bankar, kredia në vitet e fundit ka përjetuar një cikël të ri rritjeje, i nxitur nga zhvillimet në sektorin e pasurive të paluajtshme, sidomos në kryeqytet dhe bregdet.

Vitin e kaluar kreditimi i këtij sektori pësoi një lloj frenimi, të lidhur edhe me ciklin e rritjes së normave të interesit dhe ngadalësimin e rritjes së çmimeve. Megjithatë, këtë vit duket se sipërmarrja dhe sektori bankar janë përfshirë nga një valë e re optimizmi, që duket qartë nga rritja me ritme shumë të larta të kreditimit.

Rritja e shpejtë e kredisë, megjithatë, duket se po e shqetëson Bankën e Shqipërisë. Në Deklaratën e fundit të Stabilitetit Financiar, ditën e mërkurë, këshilli Mbikëqyrës theksonte se cikli i rritjes së shpejtë të kredisë duhet të ngadalësohet. Për këtë qëllim, në muajin qershor Guvernatori vendosi edhe aplikimin për herë të parë të një shtese kundërckilike në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar.

Megjithatë, sipërfaqja totale e lejeve të miratuara ka shënuar rritje me 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vlera e ndërtimeve të reja, bazuar në të dhënat e lejeve, gjithashtu është rritur, me 4.2% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Video