Bujqësia “e tkurrur”, bllokimi i fondeve të BE dhe buxheti i fryrë i administratës

5 Shtator 2024, 12:09Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Sektori i bujqësisë ka pësuar tkurrje në 10 vitet e fundit. Këtë e dëshmojnë vetë fermerët, por dhe rritja e produkteve të importit. Megjithë këtë, në ndryshimet e fundit të buxhetit, ky sektor u la sërish në harresë ku qeveria i rishikoi me ulje fondet për bujqësinë. Shkurtimet më të mëdha i ka marrë mbështetja ndaj fermerëve, me rreth 4,3 mln milionë euro. Fondet për programin e mbështetja e prodhuesit bujqësor arrijnë në 6.8 miliardë lekë nga 7,2 miliardë ne aktin normativ numër 1 me rënie 4,3 milionë euro.

Edhe në buxhetin fillestar të vitit 2024, sektori i bujqësisë mori të paktën 9% më pak financime se plani i finalizuar në aktin normativ për ndryshimin e buxhetit 2023.

Por tej kësaj bllokimi i fondeve të BE-së nga programet IPARD, ku fondet për subvencionin bujqësor ishin më të ulëta këtë vit, e ku më shumë se gjysma e tyre rreth 55 e tyre janë programuar si shpenzime korrente dhe 45 për qind si shpenzime kapitale, sjellin një tjetër problem për këtë sektor.

Sipas një studimi rajonal të Organizatës Botërore të Ushqimit (FAO), në vende të tilla si Bosnjë-Hercegovinë, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, pesha e pagesave direkte për fermat arrin në 70-80% të buxheteve të bujqësisë, shumica e të cilave është e lidhur me prodhimi blegtoral ose përdorimin e inputeve, ndërsa në Shqipëri edhe pse financimet janë të ulëta ato shkojnë për shpenzimet e administratës dhe të tilla që nuk nxisin prodhimin.

Çfarë ndodhi me fondet IPARD?

Një hetim i zyrës së BE-së kundër mashtrimit, zbuloi një keqpërdorim serioz të fondeve të para anëtarësimit të BE-së për bujqësinë në Shqipëri dhe rekomandoi bllokimin e paketës 112 milionë euro për programin pasardhës të ndihmës për bujqësinë. Raporti i dorëzohet dhe autoriteteve shqiptare

33 milionë euro kanë qenë fondet e Bashkimit Evropian të parashikuara si ndihmë të bujqësisë shqiptare që janë keqpërdorur. Shifra është zbuluar nga Zyra e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve, OLAF, që gjithashtu ka rekomanduar bllokimin e paketës së radhës 112 milionë euro për sa kohë nuk ka janë marrë masa për të garantuar mbrojtjen e interesave financiare të BE-së.

Në pasqyrën që ka publikuar për rastin e abuzimeve në Shqipëri, OLAF raportoi se “hetoi akuza serioze që përfshinin keqpërdorimin e fondeve të BE-së nga Instrumenti për Asistencën e Para-Aderimit për Zhvillimin Rural (IPARD II) në Shqipëri.

Një pretendim ishte se aplikantët për IPARD II ishin të detyruar të paguanin një përqindje të madhe të grantit të tyre për kompanitë e konsulencës të ‘përzgjedhura paraprakisht’, të cilat më pas do të lehtësonin kontratat me Agjencinë Shqiptare për Zhvillimin Rural dhe Bujqësinë (AZHBR), e cila shpërndante fondet.

Në pasqyrën e punës për vitin 2023, OLAF zbuloi tre shkeljet kryesore që bëheshin me fondet IPARD II, gjë që çoi në korrik të 2023 që Bashkimi Evropian të pezullojë këtë mbështetje.

“Pas një sërë hapash komplekse hetimore, përfshirë kërkimet mjeko-ligjore digjitale të dokumenteve të lidhura me marrësit e IPARD II, AZHBR dhe operatorë të tjerë ekonomikë, OLAF zbuloi disa parregullsi serioze gjatë fazës së dhënies së granteve dhe zbatimit të disa projekteve.

Këto parregullsi përfshinin:

-Aplikantëve u kërkohet t’i paguajnë një pjesë të konsiderueshme të grantit të tyre një kompanie konsulence lokale;

-Kontratat që jepen pa konkurrim, ose me konkurs të manipuluar (me oferta false që dorëzohen);

-Çmime të fryra dhe shkelje të rregullave kontraktuale.

Bujqësia e lënë në harresë

Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se në 5 mujorin e parë të vitit 2025 fondet për mbështetjen e prodhimit bujqësor ishin 611 milionë lekë ose vetëm 8,4 e programit vjetor. Zakonisht në muajt e parë të vitit fermerët bëjnë gati dokumentet dhe aplikimet me pas fondet ndahen në muajt e fundit te vitit.

Shqipëria financoi mesatarisht më 0.19% të PBB sektorin bujqësor gjatë viteve 2020-2021. Sipas një krahasimi të Bankës Botërore, ky është niveli më i ulët në Rajon dhe në BE .

Vetëm Shqipëria spikat si një vend në Rajon me nivel të ulët të mbështetjes bujqësore për bujqësinë, e cila në të njëjtën kohë është sektori me peshën më të madhe në PBB-së me rreth 19% të saj.

Video