Braçe bën bashkë PD e PS, votojnë projektligjin për pagesat e fermerëve

17 Janar 2023, 20:17Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Braçe bën bashkë PD e PS, votojnë projektligjin për pagesat e fermerëve

Nisma e socialistit Erion Braçe në mbështetje të fermerëve për t’i dhënë zgjidhje pagesave të vonuara të tyre gjeti mbështetjen e të gjithë deputetëve të mazhorancës dhe opozitës në Komisionin e Ekonomisë.

Propozimi parashikon vendosjen e një afati të qartë për pagesat dhe kamatëvonesa në rastet e moskryerjes në kohë të detyrimeve dhe sipas Braçes synon njëkohësisht formalizimin e tregut dhe gjithë sektorit të bujqësisë.

“Duke  vendosur këtë shtrat ligjor synoj t’i japim një zgjidhje pagesave të vonuara, në krahun tjetër synojmë formailizim akoma edhe më të madh që e shtyn bujkun drejt edhe kontratës me pikat e grumbullimit dhe së dyti ligjërim të transaksionit përmes një fature që sot nuk funksionon, ai do i marrë paratë brenda një afati që është shumë i shkurtër”, tha Braçe.

“Do zoti dhe bëhet do e votoj”, tha Spaho.

“Do kontribuojë në formalizm të tregut dhe një disiplinim të këtyre raporteve”, tha Shalsi.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë që po ashtu shprehën dakordësi për këtë propozim deklaruan se së shpejti do të jenë gati edhe aktet nënligjore për zbatimin e tij.

“Ne jemi dakord besoj edhe për formalizimin e marrëdhënieve tregtare apo të bujqësisë besoj që projektligji do ketë efekte pozitive”, tha drejtori juridik i Ministrisë së Bujqësisë, Alban Mësonjësi.

Nisma mori miratimin në parimin të Komisionit të Ekonomisë dhe do të shqyrtohet më pas edhe nen për nen për të gjitha ndryshimet e propozuara për t’i kaluar më pas Parlamentit për votim./TCH

 

Video