Bie numri i pronave të pashitura. Të huajt blenë 26 përqind të pasurive të paluajtshme në Shqipëri

6 May 2024, 12:51Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Bie numri i pronave të pashitura. Të huajt blenë 26 përqind

Numri i pronave të pashitura ka rënë për shkak të uljes së ccmimeve dhe rritjes së kërkesës nga të huajt. Referuar një vrojtimi të Bankës së Shqipërisë, 26% e pasurive të paluajtshme janë blerë nga të huajt gjatë gjysmës së dytë të vitit të shkuar, 2/3 e të cilëve ishin nga vende të BE-së.

Çmimi mesatar i banesave të shitura është ulur me 7.6% krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2023, por ka mbetur 3.2% më lart se vlera e vitit paraardhës. Për pronat e shitura në Tiranë, çmimet regjistruan një rënie prej 10.1% ndaj periudhës së mëparshme dhe një vlerë pak më të lartë krahasuar me vitin 2022.

Në pjesën më të madhe të rasteve, çmimi i blerjes së pronës për shitjet e kryera ishte i njëjtë me çmimin e kërkuar nga shitësi. Koha e shitjes për zonën e Tiranës është shkurtuar me 2 muaj, ndërsa ajo për zonat bregdetare dhe për zonat e tjera paraqitet e lartë. Ndërkohë që për banesat me qira, rritja e kërkesës është shoqëruar me rritjen e vlerës së qirasë.

Kërkesa për prona të paluajtshme nga individë dhe biznese u mbështet nga kredia bankare, e cila ka vijuar të rritet me ritme të shpejta pavarësisht niveleve më të larta të normave të interesit. Kjo e fundit ka bërë që të rritet me 3.2% raporti i kredive me probleme. Konkretisht, 60% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar janë blerë me hua bankare. Në 60% të rasteve, kredia ka mbuluar deri në 60% të vlerës.

Në fund të gjashtëmujorit të dytë të vitit të shkuar, teprica e kredisë së përgjithshme të individëve shënoi vlerën 180 miliardë lekë, duke u rritur me 4.7% gjatë periudhës dhe me 8.4% kundrejt një viti më parë.  Ndërsa kredia e marrë nga bizneset për pasuri të paluajtshme deri në fund të vitit 2023 zinte rreth 38% të tepricës së kredisë së përgjithshme të bizneseve.

Oferta për prona të paluajtshme ka ecur paralelisht me numrin e lejeve të ndërtimit. Duke marrë në konsideratë ritmin e shpejtë të ndërtimeve të reja vitet e fundit, oferta për prona të paluajtshme ka vijuar të rritet ngjashëm me atë të periudhave të kaluara. Në këto dy vite, pritet që tregu i pasurive të paluajtshme të ketë një ecuri pozitive, si për sa i takon çmimeve ashtu dhe për numrin e pronave të shitura.


Video