AMF: 1 milion kontrata sigurimi në 8 muaj, rriten të ardhurat nga primet e shkruara bruto

2 Tetor 2024, 10:36Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Gjatë periudhës janar–gusht 2024, tregu i sigurimeve në Shqipëri ka shënuar një rritje të ndjeshme. Të ardhurat nga primet e shkruara bruto arritën në 16.35 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 6.64% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Numri i kontratave të sigurimit arriti në 1 milionë të tilla me një rritje prej 8.32%.

Sigurimet e Jo-Jetës mbeten dominues, duke kontribuar me 91.85% të totalit të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës dhe risigurimi zënë përkatësisht 8.11% dhe 0.036%. Nga pikëpamja e ndarjes sipas llojit, sigurimi i detyrueshëm përbën 60.07% të tregut, ndërsa sigurimi vullnetar gati 40%. Dëmet e paguara bruto u rritën me 29.04%, duke arritur në 5,595 milionë lekë.

Sigurimi motorik përbënte 73.09% të këtyre dëmeve, me një vlerë prej afro 4.1 mld lekë, dhe një rritje prej 29.83% krahasuar me vitin e kaluar. Primet për sigurimin e detyrueshëm motorik arritën në 9,8 miliardë lekë, me një rritje prej 8.28%. Produkte të tjera si MTPL dhe Kartoni Jeshil shënuan gjithashtu rritje, përkatësisht 10.50% dhe 1.86%.

Megjithatë, sigurimi kufitar pati një rënie prej 10.88%. Në segmentin e sigurimeve vullnetar, primet arritën 6.5 miliardë lekë, një rritje prej 4.26%, me një rritje të kontratave prej 3.99%. Sigurimet e pronës, përgjegjësive dhe garancive kontribuan me mbi 2.8 miliardë lekë, me sigurimin nga zjarri që dominonte këtë kategori.

Në përgjithësi, tregu i sigurimeve në Shqipëri po tregon një trend të qëndrueshëm rritjeje, duke reflektuar një shtim të interesit të qytetarëve për mbrojtjen financiare përmes kontratave të sigurimit.

Video