Totali i depozitave në lekë ka pësuar një rënie të lehtë gjatë muajit gusht. Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, vlera e depozitave ra në 777 milionë lekë nga 781 milionë që ishte në korrik.
Por, cilat kanë qenë depozitat më të preferuara për individët dhe bizneset?
Shumica e kursimeve ruhen në depozita me afat, ndërkohë që ato pa afat zënë një peshë shumë të vogël të totalit. Depozitat me afat mbi dy vjet vazhdojnë të jenë më të preferuarat si për bizneset, ashtu edhe për individët, por me një rënie të vogël për këto të fundit. Konkretisht, vlera e depozitave me afat mbi dy vjet kap shifrën 169 milionë lekë, 95% e të cilave zotërohen nga individët, 3.3% nga shoqëritë e sigurimit, 0.9% nga bizneset dhe rreth 0.5% të tjera.
Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se depozitat me afat njëvjeçar janë të vetmet që kanë shënuar një rritje si për individët, ashtu edhe për bizneset, me një vlerë prej 130 milionë lekësh. Edhe këtu pjesa më e madhe është e ndarë midis individëve dhe korporatave jofinanciare private, ndërsa shoqëritë e sigurimit, të kursim kreditit korporatat financiare publike dhe ndërmjetësit e tjerë financiarë kanë më pak para në këto depozita.
Nga ana tjetër, depozitat me afate mujore vazhdojnë të jenë më pak të pëlqyerat, kjo për arsye të normës më të ulët të interesit dhe shpeshtësisë së rinovimit të kontratave. Rreth 15.5 milionë lekë është vlera e depozitave me afat një muaj, 5.3 milionë me afat 3 muaj dhe 10.1 milionë lekë numërojnë depozitat me afat gjashtëmujor.