Shoqata e Gjyqtarëve, përmes një deklarate të firmosur nga kryetari Engert Pëllumbi në orët e para të mëngjesit, i kërkoi kryeministrit Edi Rama të mos ndërhyjë dhe të mos ushtrojë presion ndaj sistemit të drejtësisë (LEXO KETU).
Pas këtij reagimi erdhi edhe komenti i ish-ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani.
Manjani, duke vënë në pikëpyetje mbledhjen urgjente të shoqatës, shprehet se shoqatat profesionale nuk kanë reaguar në raste të tjera më të rënda.
“Kur u përgjua haptazi, me qëllim intimidimin e Gjykatës Kushtetuese, nga një prokuror i SPAK-ut, nuk pati asnjë ndërhyrje dhe shoqata nuk reagoi fare”, shkruan Manjani.
Postimi i Plotë
Heu, qenka mbledh shoqata e gjyqtarëve që në sabah sot.
Kur u mblodhën mor aman?! Ora 9:30. Kur u mblodhën? Ç'thanë? Cila ishte axhenda? Kush e thirri?!
Po këto gjyqtarët që shqyrtojnë çështjen "Balluku" janë anëtarë?! Ç'mendojnë ata?!
Shumë herët për t'iu përgjigjur këtyre pyetjeve.
Nejse, po kur u ngrit i gjithë sistemi politik në këmbë kundër gjykatësve, asnjëra nga këto shoqata nuk pipëtinë.
As kur u bënë ligjet e vettingut absurd si dhe, të përgjimit të jetës private nga prokurorët, hiç reagim.
Le pastaj kur i degjeneronin në media gjykatësit... Hiç, po hiç fare.
Kur u përgjuan haptazi për intimidim gjykatës të Gjykatës Kushtetuese nga një prokuror i SPAK s'kishte ndërhyrje hiç, ndaj dhe kjo shoqata nuk reagoi.
Shoqata nuk reagon as kur prokurorët vijnë me duar në xhepa në gjyq dhe gjykatësit kanë frikë të japin drejtësi.
Asnjë reagim të nxitur nga gjykatës që intimidohen nga prokurorë!!!
Ngaqë janë të pavarur prandaj...
Madje janë të pavarur edhe nga drejtësia e ligji. Asnjë reagim i shoqatës për çështje të keqfunksionimin të drejtësisë, të numrit të madh të çështjeve në gjykim, të ligjeve gropa-gropa që marrin në qafë njerëz. Hiç, asnjë!
Edhe për gjykatësin e vrarë mezi reaguan se nuk mblidheshin dot, siç u mblodhën sot në sabah...
Pfffff.
Tani, Kryeministri ndoshta nuk bën mirë që flet në media, por pyetja ime për shoqatën është:
Kush ndikon/intimidon gjykatësin sot, dikush që bën gam gam në media, apo ai që i përgjon edhe zorrët e barkut deri te kushërinjtë e tretë?!
Cila "palë" është më e rrezikshme ajo që flet se ska takat të të bëjë gjë, apo ajo që hesht e të bën gjëmën?!
Njësoj vlen llogjika, ndonëse më ulëritëse duhet të ishte fjala, edhe për shefin e opozitës i cili nuk flet, por fyen e shpif kundër gjykatësve.
Kush bën dëm, ai që flet apo ai që vepron?!
Ja këto pyetje kisha. Pak herët, por i detyruar nga reagimi i shoqatës në sabah.