Kur më pyetën: Përse shkruan një roman? Ku ka lexues në Shqipëri!!!
Pse harxhon kot vite nga jeta jote? Ata nuk lexojnë! Ataaaa!
Buzëqesha me mirësjellje, por brenda meje e pashë me ironi, dhembshuri, dhe pak përbuzje, atë që ma tha! Dhe nuk ishte vetëm një. Dhe nuk ishte pa shkollë!
Kur më pyetën: Mirë romanin “Ndëshkimi i dytë i Evës” (Botimet Papirus) e bëre, por përse e bëre disi voluminoz? Ku lexojnë shqiptarët kaq shumë!
Buzëqesha me shumë përulje, por brenda meje e mëshirova me ironi dhe me dashuri të përzierë me përbuzje atë që ma tha. Dhe nuk ishte fare pa shkollim!
Tani që shoh nga të dhënat e librarëve se romani po tërhiqet vrullshëm sidomos nga lexuesit e thjeshtë, por të lartë në shijet e tyre, pa grada, pa tituj, pa ofiqe, pa statuse publike, por njerëz me personalitet, kënaqem.
Jo thjesht se romani tërhiqet sa edhe një autor në Paris do ta kishte zili, kjo është ego personale, nga e cila as unë nuk jam dorëjashtë, por sepse nuk gabova që besova.
Si ore nuk lexokan shqiptarët? Ku e dini ju? Apo e dini nga filxhani i kafesë?!
Po si nuk i pushuam njëherë gomarllëqet intelektualiste! Si nuk na zuri lesh e merimanga goja! Si nuk reshtëm së përbuzuri popullin tonë!
Si dikur thoshim se shqiptarët kanë pasur besim të cekët fetar! Se gjoja kështu paskësh thënë Vaso Pasha a Pashko Vasa andej nga Misiri a nga Egjipti se feja e shqiptarit qenka shqiptaria, pra se shqiptarët janë pa fe, të pafe! Ose duhet të jenë të pafe – kështu e interpretonte propaganda e keqe e injorantëve me tituj Pashain.
Pa besë e pa fe!
Ja që shqiptari lexoka! Besimi im i patundur u vërtetua. Faleminderit atyre që më besuan dhe investuan!
Futi një “shqiptarët s’e kanë mendjen për lexim, art, kulturë!!!” dhe mos u lodhni të krijoni as drama, as novela, as poezi, as gjë prej gjëje, prodhoni vetëm lajme politike! Për trutharë!
Eksperimenti doli me sukses! Mbylleni gojën të pa fe! Mos shani popullin tuaj!
Pa dyshim leximi i librit është rrudhur! Por, jo se shqiptarët nuk lexojnë! Jo se shqiptarët janë injorantë! As se leximin e pengoka teknologjia, pra rrjetet sociale!
Idiotizma!
Unë e di mirë se në Evropë ka një rikthim të fortë te romani, madje te romani 800 a më shumë faqësh, jo më kot, por s’do rri ta shpjegoj! Është ushtrim i vështirë psikologjik, sociologjik, kulturologjik jo i lehtë për mendje të mykura dogmatike!
Sikur ka edhe një rikthim të fortë te media në letër! Por, nuk do ta shpjegoj edhe këtë se e kotë të humbas kohë!
Pse atje ku të rinjtë kanë akses më të lartë se te ne në teknologji e rrjete sociale, ata lexojnë megjithatë?
Kush nuk di të krahasojë mbetet i verbër për jetë! Dhe e mbyll idiotizmin e vet dembel me një fjali: E ku lexojnë shqiptarët!
Rinia injorante – deklaron – dashka vetëm të çukisë rrjeteve sociale!!!
Por, ja që lexoka se… Ritmi i tërheqjes së romanit “Ndëshkimi i dytë i Evës”, sipas të dhënave të librarëve, do ta xhelozonte edhe një shkrimtar në Berlin, Paris dhe Romë… shoqëri një tridhjetë herë më të dendura demografikisht se ne të gjorët!
Para se t’ia vini fajin shqiptarëve të “pafe” pa shikoni se cilat janë mekanizmat që e përcjellin letërsinë, jo vetëm atë, te lexuesi masiv!
Ku janë sallonet letrare, ku janë revistat artistike, ku janë tekstet mjerane të letërsisë në shkollë të mesme, ku janë rrethet letrare, ku është ndihma shtetërore për botuesit, për librarët, pa shihni gjendjen e bibliotekave shumica si nevojtore a banja publike, jashtë çdo standardi të sotëm, dhe pastaj vijani fajin injorancës shqiptare!
O pika që nuk na bie!
I lumtur kur shoh si tërhiqet “Ndëshkimi i dytë i Evës” (Botimet Papirus), ma kishte dhënë sigurinë romani i mëparshëm imi “Murgu” (Botimet Papirus).
Nuk pyesin lexuesit shqiptarë as për numrin e faqeve, as për çmimin, ata duan të lexojnë! Kur nuk e duan krijimin, jepua edhe falas dhe nuk e prekin me dorë!
Sipas qejfit të tyre, sigurisht!
Por pengohen.
Sidomos autorët kurrë nuk duhet ta hedhin barrën e fajit te lexuesi! A shkruajmë dramat shqiptare, apo mbushim faqe me përsihatje personale, i vijmë rrotull dramës sonë psikologjike, si shpirtra të shkalavarur, dhe kërkojmë me dhunë psiqike të fajësojmë ata që na hedhin tej?
Faleminderit lexues të dashur!
Faleminderit të reflektoni edhe ju që ende përsërisni se formula kyçe e Rilindjes Kombëtare paska qenë se shqiptarët nuk duhet të kenë fe, janë apo të jenë pa besë e fe!
Që përsërisni versionin e sotëm: Ku lexojnë shqiptarët!