Giuseppe Sarcina - Corriere della Sera
Pas goditjes së fundit politike, për Europën ka ardhur koha e ideve dhe e veprimeve konkrete. Strategjia e re e sigurisë kombëtare e publikuar të premten nga Shtëpia e Bardhë, me sfidën e saj të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve evropiane, po detyron Brukselin dhe kryeqytetet e BE-së të ndryshojnë ritëm. Sfida më e afërt mbetet raporti me Vladimir Putin-in dhe mbështetja për rezistencën ukrainase. Por ndërkohë kërkohen edhe vendime afatgjata, që të përgënjeshtrojnë profecitë pesimiste të Donald Trump-it dhe zëvendësit të tij JD Vance, i cili paralajmëroi se “Europa rrezikon të bëhet e panjohur brenda 20 vitesh”.
Dy raportet e mbështetura nga Mario Draghi dhe Enrico Letta kanë përcaktuar drejtimet e qarta për rritjen e konkurrueshmërisë në sektorët kyç: energji, mbrojtje, digjitalizim dhe inteligjencë artificiale. Draghi ka sugjeruar që në shtator 2024 një paketë me 383 masa, por deri tani vetëm 10% e tyre janë zbatuar. Largimi i Amerikës nga angazhimet tradicionale po shtyn europianët të kërkojnë zgjidhje të shpejta dhe të prekshme.
Një “Europë e zgjeruar”
Po merr formë ideja e një hapësire më të gjerë bashkëpunimi evropian. Marrëdhëniet mes Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të BE-së po ngushtohen ndjeshëm. Askush nuk flet për një rikthim të Britanisë në BE, plagët e Brexit mbeten ende të hapura, por Londra ka hequr dorë për momentin nga vetëizolimi. Kërcënimi rus e ka shtyrë kryeministrin Keir Starmer të ndërtojë një aleancë të fortë strategjike me Parisin, Berlinin, Varshavën dhe Romën.
Bashkëpunimi po shtrihet edhe më tej, deri te grupi “Nordic-Baltic Eight”, që përfshin Danimarkën, vendet baltike, Finlandën, Islandën, Norvegjinë dhe Suedinë. Po ashtu vijnë sinjale pozitive nga vende të largëta si Kanadaja, Zelanda e Re, Australia dhe Japonia. Ideja e një “kampi të gjerë” pro-Europë po fiton terren.
Fondet dhe marrëveshjet
Kjo perspektivë politike rrezikon të përmbyset nga rritja e partive sovraniste në Gjermani, Francë dhe Britani. Për këtë arsye, Starmer dhe të tjerët pritet të përshpejtojnë veprimet, duke i mbështetur partneritetet politike mbi baza ekonomike dhe industriale.
Një provë e rëndësishme do të jetë funksionimi i fondit të ri europian “SAFE”, Security Action for Europe, me vlerë 150 miliardë euro. Fondi synon të financojë projekte mbrojtëse të paraqitura nga të paktën dy vende të BE-së, së bashku me Ukrainën dhe vendet e EFTA-s (Norvegjia, Islanda, Lihtenshtejni, Zvicra).
Ka presion nga vende të tjera për t’u përfshirë, përfshirë Britaninë e Madhe. Përbashkimi industrial BE–Britani shihet si një mundësi për të forcuar mbrojtjen e kontinentit. Një shembull i afërt është vlerësimi që Ministria britanike e Mbrojtjes po i bën kompanisë italiane Leonardo për zëvendësimin e flotës së vjetër të helikopterëve “Puma”.
Pista kineze po rihapet
Tensionet me SHBA-të po rikthejnë në qendër të debatit europian idenë e hapjes më të madhe ndaj Kinës, një linjë e mbështetur nga figura si Romano Prodi apo ekonomisti Giovanni Tria. Nuk bëhet fjalë vetëm për diversifikim tregtar: Varësia e Europës nga Amerika mbetet shumë e madhe. Në vitin 2024 shkëmbimet tregtare BE–SHBA arritën në 1.700 miliardë dollarë, ndaj 845 miliardëve me Kinën.
Në diskutim është një bashkëpunim më i balancuar: Europa ka nevojë jetike për mineralet e rralla që Kina kontrollon, ndërsa Pekini kërkon hapësirë për investime teknologjike në territorin europian. Deri një vit më parë kjo tezë do të konsiderohej e papranueshme, pasi BE ndiqte vijën amerikane të Joe Biden për frenimin e ndikimit kinez në çdo rajon të botës.
Por me Trump-in që sinjalizon se dëshiron duar të lira për të negociuar drejtpërdrejt me Xi Jinping, shumë kryeqytete europiane. nga Berlini te Madridi, Athina dhe Roma pyesin: Nëse e bën Amerika, pse të mos e bëjmë edhe ne?
Në skenën globale të tensionuar, Europa kërkon të mos mbetet as e izoluar, as e varur – dhe koha për vendime duket se po mbaron.