Shumë media dje dhe sot flasin për ‘të martën e përgjakur’. Tri vrasje brenda pak orësh, jo për ide e ideale, as për prona e vatane, po për arsye banale.
Në Durrës djali vrau të atin, e theri me thikë pas një grindjeje të momentit. Reporterët thonë se vrasësi kishte probleme të shëndetit mendor.
Por dy vrasësit e tjerë ishin koqe qiqër nga trutë e kokës. Njeri, picabërës në një lokal në Tiranë, vrau kolegun, kamarier, nga që ky e bulizuakish. Akoma më groteske, po edhe më banale ngjan vrasja në Berat. Një vizitor nga Tirana i bëri një foto të bijës së vogël mbi një kalë që pronari e përdorte për të shëtitur turistët. Paguaj për foton, s’kam pse paguaj për hiçgjë, fjala solli fjalën dhe për foton mbi një kalë u bë hataja: njeri u vra, tjetri i tha burgut hapu, vajza mbeti jetime, të dy familjeve iu prish rëndë terezia.
Lajme të tilla të sjellin në mend faktin se në shoqërinë tonë ndodhin shumë vrasje për gjëra të vogla dhe shpesh banale: për një gardh, për një vijë uji, madje edhe për një fjalë goje të tipit ‘e lagu, s’e lagu’. Për gjëpogjëra, thoshin dikur të moshuarat gjirokastrite.
Vështirë të thuash ku i ka rrënjët lehtësia me të cilën ia marrim jetën tjetrit.
Një shpjegim mund të jetë koha. Jetojmë në një krizë të stërzgjatur, në një tranzicion që s’po i duket fundi. Halle me thes! Edhe stresi, nervozizmi dhe agresiviteti vijnë me thes e shkuar thesit.
Vrasjet për motive banale mund të shpjegohen edhe me faktin që qysh nga 1997-a i kemi armët sheshit. Nxehesh, vete e rrëmben kallashin dhe kthehesh e bën gjëmën. Por një pjesë e vrasjeve po bëhen edhe me thika, si të therje berrin. Të tria vrasjet e djeshme psh u bënë më mjete prerëse.
Mbase e vrasim tjetrin lehtësisht nga që lidhjet me fenë i kemi të zbehta dhe shpesh të munguara. Të gjitha fetë kanë në themel disa porosi morale. “Mos vrit’ renditet ndër të kreut. Para se të jetë një porosi fetare, këshilla ‘mos vrit’ është një nga arkitrarët e moralit të çdo shoqërie. Mesa duket edhe me moralin dhe etikën s’para i kemi punët në vijë.
Shkolla dhe media kanë kusure të mëdha në brumosjen me norma humaniste. Po të flisnim për to, do na duheshin net dimri.
Thonë se vrasjet për hiçmosgjë lidhen me cilësinë e ulët të jetës. Sa më e lartë cilësia, aq më e çmuar jeta. Si çdo mall… Ndjesë për cinizmin!
Mbase lehtësia e papërballueshme për të vrarë lidhet edhe me konfliktualitetin politik. Baballarët e Kombit vriten e priten. Jo për flamur, por për të marrë vota e për të dhenë tendera e koncesione. Nuk vriten me jatagan a kallash, por me fjalë. Dmth vriten e priten me gjasme apo simbolikisht. Parë kështu, vështirë të thuash se konfliktualiteti politik nxit direkt vrasjet. Gjithsesi është e sigurt që rrit agresivitetin. Dhe agresiviteti është sera ku rriten e harlisen vrasjet e ardhshme.
Mund të rendisësh edhe faktorë të tjerë që zhvleftësojnë jetën dhe e bëjnë vrasjen e tjetrit sport të përditshëm. Gjithsesi në themel të të gjithave mbetet njeriu dhe respekti për vlerat humane. Zbutja e kësaj plage, që rrjedh përditë gjak të freskët, nuk shërohet thjesht me ankesa e akuza që jemi të prirur t’i bëjmë duke e konsideruar veten dora jashtë. Në fakt puna zë fill tek diçka e thjeshtë: tek ajo që bën gjithsecili për të qenë njeri e për të kultivuar vlera njerëzore tek vetja, tek fëminët, tek të afërmit…