Paraditen e 20 tetorit 2025 disa media online publikuan lajmin se ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano, kishte vdekur.
Lajmi ishte pa burim.
Pak orë më pas, thuajse të gjitha mediat dhanë lajmin se Nano ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.
Burimi ishte një njoftim zyrtar i spitalit ku gjendej, prej disa ditësh i shtruar, ish-kryeministri..
Tre ditë më pas, reporterët e lajmeve politike ranë në grackën e aktores së humorit Delinda Disha. “Mirëmëngjes miq! Nga sot jam e lumtur të ndaj me ju lajmin si Kandidate e pavarur për kryetare në Bashkinë Tepelenë! Me respekt Delinda Zhupa Disha”. Kjo ishte përmbajtja e “story”-t të saj në faqen e saj të Instagramit.
Këtë radhë, mediat sociale nuk mbetën të vetmet. Edhe disa media tradicionale e botuan lajmin pa asnjë verifikim. Madje edhe disa media në Kosovë, siç ndodh në kësi rastesh përdorën teknologjinë “copy paste”.
Reporterja e lajmeve politike Esiona Konomi duke trajtuar këtë rast në profilin e saj në rrjetin social Facebook, kujton dy teknikat që mund të ishin përdorur për të mos prodhuar “fake news”.
“Aktorja Disha njoftoi kandidimin e saj si e pavarur më 23 tetor, ndërkohë që vetëm një konsultë e thjeshtë me rrjetet sociale të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, do të mjaftonte për të kuptuar se kandidatët e pavarur duhet të kishin aplikuar në KQZ brenda datës 19 tetor, për të marrë formularët e mbledhjes së firmave përmes Komiteteve Nismëtare.
Ditën që lajmi shpërtheu në media, KQZ publikoi në rrjetet e saj sociale listën e plotë të kandidatëve të pavarur që kishin marrë autorizim nga KQZ për të mbledhur firma nga zgjedhësit”, shkruan Konomi që tërheq vëmendjen e portaleve që ende nuk e kanë hequr ose modifikuar këtë lajm të pavërtetë nga sitet e tyre.
Ndryshe nga dy rastet e para kur lajmet u bazuan mbi statusin e një politikani (në rastin e vdekjes së Nanos) dhe në rastin e dytë në statusin e një aktore humori, në datën 24 tetor mediat më të rëndësishme në Tiranë hezituan të raportojnë mbi lajmin se zëvendëskryeministri Znj.Belinda Balluku ishte “ftuar” për t’u paraqitur në Prokurorinë e Posacme (SPAK) të hënën e 27 tetorit 2035.
Madje duhet të shoqërohej me avokat mbrojtës, që do të thotë se pozita proceduriale e saj ishte në prag të zyrtarizimit të akuzës, pra të merrej si e pandehur.
Në këtë rast lajmin fillimisht e kishte publikuar reporterja që raporton mbi aktivitetin e SPAK, Klodiana Lala.
Ndërsa detaje rreth këtij zhvillimi të rëndësishëm kishte ndarë me opinionin publik edhe Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi.
Ajo që i bashkon tre rastet e mësipërme nuk janë motivet që kanë shtyrë gazetarët për të publikuar ose mos publikuar këto lajme.
Por, metodologjia që (s) kanë përdorur për të verifikuar, saktësuar, konfirmuar, pasuruar apo zgjeruar lajmin.
Në mjaft fusha të jetës njerëzore ka një varësi të drejtpërdrejtë mes procedurës dhe qëllimit ose rezultatit të veprimit. Përshembull në jurisprudencë ekzistojnë kodet e procedurës (Kodi i Procedurës Penale, Kodit i Procedurës Civile, Kodi i Procedurës Administrative) që sanksionojnë veprimet e aktorëve të drejtëisë për të hetuar apo dënuar një vepër penale. Në mjekësi këto kode procedure njohen me emrin “protokolle mjekësore”, e kështu me radhë.
Në gazetari në mjaft raste për shkak të dobishmërisë së qëllimit final, procedura nuk konsiderohet. Përshembull parimisht në gazetari ndalohet rregjistrimi i fshehtë (përgjimi).
Por, kur kjo metodë është rruga e vetme për të marrë informacionin dhe kur ky informacion ka një dobishmëri për interesin publik, mbizotëron publikja mbi privaten.
Së dyti, në gazetari ndalohet pagesa për burimet e informacionit (blerja e informacionit). Por sërish, kur kjo mbetet rruga e vetme, ka raste që edhe paguhet burimi. Këto raste trajtohen në kodet e etikës.
Por, kodet e etikës janë fakultative dhe i lihen vullnetit të gazetarit për ti respektuar. Disa prej normave besoj se duhet të dalin nga kodet e etikës dhe të konsiderohen si norma proceduriale që duhet të respektohen. Në këtë mënyrë, mediat në tërësi, por sidomos ato tradicionale do të shpëtojnë nga lajmet e pavërteta që minojnë besueshmërinë e tyre, i cili është cënuar tashmë.
Ky kod procedure duhet të nisë nga veprime të thjeshta por të domosdoshme përpara se reporteri të ulet e të shkruajë një lajm! Neni i parë i kodit duhet të jetë verifikimi i informacionit.
Asnjë lajm nuk mund të botohet pa e verifikuar atë. Është shpërdorur deri në tallje parimi i verifikimit të lajmit në më së paku dy burime. Kritikët e këtij parimi pretendojnë formalizimin e këtij parimi, përshembull çfarë ndodh nëse të dyja burimet janë nga e njëjta palë e përfshirë në një lajm. Ose në burimet që ne përdorim për verifikim janë shumë periferikë në raport me ngjarjen për të cilën po i citojmë.
Në rastin e lajmit për vdekjen e Fatos Nanos, reporteri do të mjaftohej me një telefonatë në spitalin ku Nano ishte shtruar. Në rast se nuk e priste puna për të shkuar vetë tek spitali.
Në protokollet e gazetarisë duhet sanksionuar se lajmi duhet verifikuar edhe nëse gazetari e sheh me sytë e tij një ngjarje.
Në rastin e kandidimit të aktores së humorit reporterët kanë lexuar statusin në profilin e saj zyrtar, Por, nga nxitimi kanë harruar profilin social të saj (aktore humori) apo nuk kanë dyshuar nëse profili i saj zyrtar mund të ishte hakëruar.
Por, nëse tek dy rastet e para mungesa e angazhimit të gazetarit për të verifikuar vërtetësinë e informacionit ka çuar në një “fake news”, në rastin e tretë kjo mungesa angazhimi për të verifikuar lajmin ka prodhur një censurë të informacionit.
Pra, lajmi për fletthirrjen e informacionit nuk u përfshi në buqetën informative të kanaleve më të rëndësishme televizive në Shqipëri, duke e privuar opinionin publik nga ky informacion.
Drejtuesit e mediave u justifikuan me pasigurinë e vërtetësisë së informacionit.
Mediat u mjaftuan me një përgjigje lakonike të Prokurorisë së Posacme e cila tha se nuk kishte asgjë për të ndarë me gazetarët. Median në Shqipëri e nxori nga ky siklet gazetari i radios gjermane Deutsche Welle, i cili pyeti kryeministrin për fatin penal të bashkëpunëtores së tij.
Përgjigja e kryeministrit duket se ishte edhe një “miratim” që lajmi mbi ftesën ndaj Ballukut në Prokurorinë e Posaçme edhe mund të botohej.
Mjaftonte që gazetarët të pyesnin vetë progatonistën nëse e kishte marrë një ftesë të tillë! Në mediat e Tiranës në vend të lajmit për pozitën proceduriale të Ballukut gjeti vend lajmi për trenin imagjinar Shqipëri-Zvicër që zëvendëskryeministrja jepte nga vagoni i një treni në Zvicër.
Vetëm pasi të bindemi që lajmi është i saktë, dhe i vërtetë mund të pretendohet të sqarohen pyetjet më të vështira, si pse dhe si?
Deri atëherë do të prodhojmë “fake news” ose mutacione “fake+news”.