Në fakt, miqësia midis Kinës dhe Rusisë ka kufijtë e saj! Këtë e konfirmoi edhe një raport ekskluziv i agjencisë Reuters, sipas të cilit kompanitë shtetërore të naftës në Kinë kanë pezulluar blerjet e naftës ruse të transportuar detarisht.
Ky vendim vjen pas sanksioneve që Shtetet e Bashkuara vendosën ndaj dy gjigantëve të naftës në Moskë, Rosneft dhe Lukoil, si dhe pas masave të Bashkimit Evropian kundër kompanive dhe rafinerive kineze për blerjen dhe përpunimin e naftës me origjinë ruse.
Reuters raporton se kompanitë shtetërore kineze PetroChina, Sinopec, CNOOC dhe Zhenhua Oil do të shmangin tregtimin e naftës ruse përmes detit, për shkak të shqetësimeve lidhur me sanksionet. Kjo situatë do të mbetet në fuqi të paktën për një periudhë të shkurtër, deri në gjetjen e mënyrave të tjerave për t’u përballur me këto kufizime. Në të njëjtën kohë, India njoftoi, në marrëveshje me Shtetet e Bashkuara, reduktimin e konsiderueshëm të importeve të naftës ruse.
Megjithatë, ka dallime të rëndësishme midis dy vendeve. Së pari, Kina nuk ka marrë dhe është e pamundur të marrë angazhime politike me Uashingtonin në këtë drejtim. Ndërsa ndalimi nga ana e Indisë bën pjesë në një negociatë tregtare që duket se po afrohet me Shtëpinë e Bardhë, vendimi i Kinës është kryesisht një masë operative pa njoftime zyrtare. Së dyti, ndikimi në ekonominë ruse është i ndryshëm. India është blerësi më i madh detar i naftës ruse, dhe ndalimi i importit nga Nju Delhi pritet të ndikojë ndjeshëm Moskën, duke rrezikuar tensione në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Kina importon rreth 1.4 milionë fuçi naftë ruse në ditë përmes detit, por shumica e tyre blihen nga rafineritë e pavarura, përfshirë edhe operatorët e vegjël të njohur si “teapots”. Ndikimi i ndalimit të blerjeve prek vetëm një pjesë të vogël të këtij volumit. Sipas analizës së Vortexa Analytics, kompanitë shtetërore kineze blenë më pak se 250 mijë fuçi në ditë në 9 muajt e parë të vitit 2025, ndërsa konsultantët e Energy Aspects e vlerësojnë këtë shifër pothuajse dyfish më të lartë.
Megjithatë, kjo sasi është shumë më e vogël krahasuar me naftën e importuar përmes tubacioneve. Kina importon gjithashtu rreth 900 mijë fuçi në ditë përmes tubacioneve, të gjitha të destinuara për PetroChina. Këto importe nuk pritet të preken nga ndalimi, ndërsa për ato detare pritet që Pekini të tentojë të rrisë tregtinë përmes ndërmjetësve.
Një pjesë e importeve prej 250-500 mijë fuçi në ditë do të zëvendësohet me furnizime nga vende të tjera, kryesisht nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Amerika Latine, sipas tregtarëve të cituar nga Reuters. Kjo pritet të rrisë çmimet e naftës që nuk janë subjekt i sanksioneve.
Lajmi ka rëndësi të veçantë sepse konfirmon se mbështetja kineze për Rusinë ka kufij, sidomos përballë sanksioneve. Nuk është hera e parë që ndodh kjo. Në pranverë-verë të vitit 2024, bankat shtetërore kineze pezulluan shumë transaksione financiare me Rusinë për shkak të frikës nga sanksionet perëndimore, duke bllokuar transaksione me vlerë miliarda juanë, që korrespondojnë me qindra milionë dollarë amerikanë.
Ndikimi në shkëmbimet tregtare u ndje qartë. Në vitet e fundit, për shkak të luftës në Ukrainë, tregtia midis Kinës dhe Rusisë u rrit ndjeshëm dhe arriti nivele rekord. Por nga tremujori i dytë i vitit 2024, rritja u ngadalësua ndjeshëm, duke shënuar edhe rënie në disa periudha. Kohët e fundit, për shkak të shqetësimeve për arritjen e një lloj plafoni në shkëmbimet tregtare, Moska ka vendosur heshturazi taksa shtesë mbi disa importe kineze, duke filluar nga makinat.
Pezullimi (të paktën përkohësisht) i blerjeve të naftës përmes detit bëhet simbol i vështirësisë në ruajtjen e balancës mes interesave ekonomike dhe kufizimeve gjeopolitike në një botë gjithnjë e më të fragmentuar.