Brunilda Mersini, tashmë kandidate e konfirmuar për kryetare të Bashkisë Vlorë, është vënë në qendër të sulmeve politike dhe personale, madje edhe përpara se të marrë zyrtarisht detyrën. Një situatë që flet më shumë për frikën dhe interesat e cunguara të kundërshtarëve sesa për figurën e saj.
Bruna, siç e njohin qytetarët, ka një karrierë 10-vjeçare të spikatur në drejtimin e Spitalit Rajonal të Vlorës, ku realizoi një reformë të thellë. Spitali, dikur në gjendje të mjerueshme, u transformua nga themelet, nga ambientet bazike te pajisjet moderne dhe kushtet e punës, në një institucion ku qytetarët ndjeheshin më në fund të respektuar dhe të trajtuar me dinjitet. Ajo nuk bëri zhurmë, nuk kërkoi asnjëherë vëmendje mediatike për të reklamuar punën e saj e la rezultatin të fliste.
Dhe qytetarët e Vlorës e shpërblyen. Në zgjedhjet e 11 majit, Bruna fitoi mandatin e deputetes me një rezultat të thellë, duke u renditur e para në qarkun e Jugut nga lista e grave një dëshmi e qartë e mbështetjes popullore dhe e besimit që ajo kishte fituar me punë të ndershme.
Pas zhvillimeve të fundit në Bashkinë e Vlorës, ishte vetë Kryeministri Rama që i kërkoi të kandidonte për drejtimin e saj. Dhe Bruna nuk u tërhoq. Nuk u tremb. Nuk tha "nuk e bëj dot".
Doli përballë sfidës, duke u bërë gruaja e parë që kandidon për këtë detyrë në qytetin e saj. E dinte se do të përballej me sulme, me shpifje, me tentativa për baltosje sepse kështu funksionon politika kur i pritet rruga interesave të vjetra, abuzimeve të trashëguara dhe parasitëve të institucioneve.
Kur ishte drejtoreshë spitali, askush nuk u kujtua të shpikte histori për të. Kur u bë deputete, asnjë "denoncues" nuk doli në dritë. Por tani që ka mundësinë të vendosë rregull dhe të rikthejë bashkinë te qytetarët, të gjithë u kujtuan "të shqetësohen". Sepse Bruna përfaqëson një kërcënim real për ata që janë mësuar të përfitojnë në kurriz të qytetarëve.
Në vend të debatit për programin apo vizionin e saj për Vlorën, kundërshtarët kanë zgjedhur të sulmojnë personalisht, madje duke u zhytur në histori të largëta dhe familjare, duke përfshirë persona që nuk kanë asnjë lidhje me rrugëtimin e saj. Bruna ka ndjekur gjithmonë një rrugë të ndershme, të drejtë dhe të përkushtuar ndaj komunitetit, ndërsa kushdo tjetër që ka zgjedhur një rrugë tjetër, nuk mund dhe nuk duhet të përdoret për ta njollosur atë.
Në vitet ‘90, gjatë trazirave të vitit 1997, ajo ishte thjesht një vajzë studente me një ëndërr të bëhej mjeke dhe t’i shërbente vendit të saj. Dhe e realizoi. Qëndroi në Shqipëri, ndërtoi karrierën me ndershmëri dhe profesionalizëm, u bë zëri dhe mbështetja e grave dhe e njerëzve në nevojë. Sot, ajo vazhdon misionin për të qenë në shërbim të qytetarëve, kësaj here si kryetare bashkie.
Zgjedhjet po afrojnë. Dhe qytetarët e Vlorës do të dinë ta bëjnë dallimin mes punës dhe shpifjes, mes të vërtetës dhe intrigës. Ata do të flasin me votën e tyre dhe një gjë është e sigurt. Bruna do të jetë kryetarja e re e Bashkisë Vlorë. Sepse qytetarët e dinë se kjo është rruga e ndryshimit, ndërsa për shpifësit ajo do të mbetet gjithmonë e vetmja "punë" që dinë të bëjnë.