Neri Zilber – Financial Times
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka përshkruar marrëveshjen e pritshme për armëpushim në Gaza dhe lirimin e pengjeve si një “ditë e madhe” dhe një fitore të strategjisë së tij diplomatike dhe ushtarake pas 2 vitesh lufte.
Por për shumë analistë, ky moment mund të shënojë fillimin e fundit të karrierës së tij politike.
Megjithëse shumica e shoqërisë izraelite është rreshtuar pas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga SHBA-të, partnerët e tij të koalicionit të ekstremit të djathtë e kanë kundërshtuar planin, i cili parashikon lirimin e gati 2 mijë të burgosurve palestinezë, përfshirë 250 persona të dënuar me burgim të përjetshëm për akuza terrorizmi.
Çfarë shqetëson edhe më shumë ultranacionalistët izraelitë është se marrëveshja kërkon një përfundim të përhershëm të fushatës shkatërruese ushtarake pa arritur “eliminimin total” të Hamasit dhe pa mundësi për të okupuar Gazën, një objektiv që krahët më radikalë të qeverisë e kishin ëndërruar prej kohësh.
Netanyahu, i akuzuar shpesh se ka zgjatur luftën për të kënaqur aleatët e tij të ekstremit të djathtë, tani rrezikon mbështetjen që e ka mbajtur në pushtet që prej sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023.
“Mos e dhëntë Zoti të ndodhë një shkëmbim pengjesh me ndërprerjen e luftës, siç mendon dhe krenohet Hamasi”, shkroi ministri i Financave, Bezalel Smotrich, në rrjetin “X”.
Marrëveshja kalon, por qeveria mbetet e brishtë
Megjithë kundërshtimin e Smotrich dhe ministrit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, marrëveshja kaloi pa vështirësi në kabinetin e plotë të qeverisë në orët e para të së premtes, 10 tetor. Të dy votuan kundër, por asnjëri nuk dha dorëheqje. Ben-Gvir paralajmëroi vetëm se nëse Hamasi nuk shkatërrohet plotësisht, partia e tij “Fuqia Hebraike” do të rrëzojë qeverinë.
Kjo lëvizje reflekton edhe paqartësinë e Netanyahu-t mbi përmbajtjen e marrëveshjes.
Ai këmbëngul se është rënë dakord vetëm për “fazën e parë”, lirimi i pengjeve kundrejt të burgosurve dhe një tërheqje e pjesshme ushtarake, ndërsa elementët e tjerë të planit të presidentit amerikan Donald Trump, si tërheqja e plotë izraelite, çarmatimi i Hamasit dhe krijimi i një komiteti ndërkombëtar për administrimin e Gazës, ende nuk janë negociuar.
Një zyrtar i opozitës izraelite u shpreh:
Pyetja e vërtetë është: A do të shpallë dikush fundin e luftës? Për aq kohë sa Netanyahu lë hapur mundësinë e rikthimit në luftë, Smotrich dhe Ben-Gvir nuk do ta rrëzojnë qeverinë…
Familjet e ushtarëve kërkojnë vazhdimin e luftës
Edhe pse shoqëria civile e priti marrëveshjen me gëzim, forume të së djathtës së fortë si “Gvura”, që përfaqëson familjet e ushtarëve të rënë, e mirëpritën lirimin e pengjeve, por kërkuan që pas kësaj Izraeli të vazhdojë goditjet ndaj Hamasit “deri në eliminimin e tij të plotë”.
Ndërkohë, vetë Trump, aleati më i rëndësishëm ndërkombëtar i Netanyahu-t, ka ushtruar presion për t’i dhënë fund luftës, duke bërë që kryeministri izraelit të reagojë. Sipas të afërmve të tij politikë, edhe vetë Netanyahu është tashmë i gatshëm ta mbyllë konfliktin, edhe nëse kjo nënkupton rënien e koalicionit dhe zgjedhje të parakohshme.
Llogaritjet elektorale dhe roli i Trump
Sipas analistit politik Nadav Shtrauchler, i cili ka punuar më parë me Netanyahu-n, ky ishte momenti i duhur:
Nuk është fitorja totale, por vendi tashmë po hyn në një vit zgjedhor, me votime të planifikuara më së voni në tetor 2026!
Liderët e opozitës e kanë mbështetur marrëveshjen, por presin të shohin nëse kjo “faza e parë” do të hapë rrugën për një fazë të dytë që do t’i japë fund përfundimisht luftës dhe ndoshta qeverisë së Netanyahu-t.
Një zyrtar opozitar parashikoi se zgjedhjet mund të mbahen në mars 2026, por Netanyahu mund të përpiqet t’i shtyjë deri në qershor.
Megjithatë, ndërsa izraelitët festonin marrëveshjen të enjten, një gjë dukej e qartë: politikani më popullor në Izrael sot quhet Donald Trump.
Familjet e pengjeve të liruar e falenderuan publikisht presidentin amerikan, duke lënë jashtë çdo përmendjeje kryeministrin e tyre.
Por fakti që Netanyahu ende është në pushtet, mban përkrahjen e Trump dhe ka drejtuar një luftë dyvjeçare ku armiqtë rajonalë të Izraelit janë goditur rëndë, mund të luajë ende në favor të tij.
“Nuk ka një lobist më të mirë për Netanyahun sesa Trump. Fjalimi i tij në [parlament] këtë të diel do të jetë fillimi i fushatës zgjedhore”, tha Shtrauchler. “Duhet të përdorni atë që keni.”
I pyetur të enjten në mbrëmje nëse ishte i shqetësuar për të ardhmen politike të Netanyahut pas marrëveshjes së Gazës, Trump tha: “Shikoni, kjo është politikë… Mendoj se ai është shumë popullor… Dhe ai është shumë më popullor sot sesa ishte.”