SPAK, institucion shumë herë më i dobët se ish Prokuroria e Krimeve të Rënda

18 Janar 2023, 15:23Pikëpamje SHKRUAR NGA HYSNI GURRA
 
SPAK

Ndoqa një intervistë të ish zv/ministres së Brendshme të dënuar me një vit e gjysëm burgim pas akuzës së SPAK për “ushtrim të ndikimi të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe më mbeti mendja një fjali e saj. “Unë tani jam vetëm një statistikë”.

Nuk është qëllimi i këtij shënimi të merrem me rastin në fjalë as me faktin që “arka e peshkut” (nuk) ka ekzistuar. Ajo që mbetet shqetësuese është performanca e SPAK-ut që është në nivel mizerabël krahasur jo vetëm me pritshmëritë e publikut, por edhe me ish Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Për të mbajtur me gajret reformën, po “mbiçmohen” statistika e SPAK-ut dhe ndërkombëtarët harrojnë se njerëzit në këtë vend kanë jetuar dhe mbajnë mend që ministra në detyrë të qeverisë së para 2013 jo vetëm janë akuzuar, por edhe kanë shkuar para dyerve të drejtësisë. Kanë bërë edhe burg ministra të qeverisë së para 2013. Ka qenë kurajo e ish prokurorëve të krimeve të rëanda që vendosi nën akuzë Saimir Tahirin, ministrin më të suksesshëm të kësaj shumicë qeverisëse. Njerëzit nuk harrojnë.

Ajo çfarë të bën përshtypje të SPAK-u i sotëm është druajtja e madhe për të ngritur akuzë ndaj ministrave edhe kur ata e kanë bërë baltë edhe kur pas baltës e bëjnë lluc. SPAK, pret që qeveria të flakë ministrin e vet Koka dhe të nisë veprimet. SPAK, pret që qeveria të flakë zv/kryeministrin e vet dhe të nisë ndonjë veprim. SPAK më shumë po vepron si kapaku i tenxheres me presion që duhet të menaxhojë skandalet pindarike se sa si një organ akuze që duhet të verë gishtin në plagën e majisur të korrupsionit elitar në Shqiptar.

Të bën përshtypje se SPAK është i kompleksuar nga qeveria deri në atë pikë sa gërmon çështje të para 10 viteve, a thua se ka mbaruar punë me abuzuesit aktualë të fondeve publike?

Ajo që të trondit është se ende nuk shohim figurën me integritet të prokurorit të SPAK-ut. U desh një transmetim live në garën për kreun e SPAK-ut për të parë mjerimin profesional. Të tre kandidatët ishin në nivel mëse mediokër. Asnjë shenjë se ke të bësh me “heronj”. Asnjë shenjë se ke të bësh me profesionistë që e kuptojnë se çfarë detyre dhe sfide kanë përpara.

Asnjë fjalë për shtetin ligjor, të drejtat e njeriut, procesin e drejtë, prezumimin e pafajësisë, referimin te Gjykata e Strasburgut, asnjë fjalë për protokolle dhe standarte. Të tre kandidatë lexonin gërmë për gërmë çfarë kishin të shkruar.
A thua nuk paska në këtë vend prokurorë të artikuluar? Nuk kishte prokurorë ky vend sa mes 15 prokurorëve të SPAK-ut duhet të jetë edhe ai që gënjeu publikisht për ngjarjen tragjike në Elbasan para zgjedhjeve të 2021-t?!

SPAK po fryhet me statistika. “Kemi ngritur kaq akuza, po hetojmë kaq çështje, hetimet janë komplekse, gjykata ka konfirmuar mbi 95%... Dhe kjo e fundit është më shumë se ulëritëse. A thua këta prokurorë qenkan në kufijtë e gabimit të prokurorëve robot. Amin. Pse na duhen gjyqtarët atëherë. Të kalojmë direkt nga akuza te noteri e të përmbarimi.
Është në nivel të pabesueshëm komunikimi që SPAK bën për “çështjet e mëdha”. Komunikata që i ngjajnë fjalëkryqeve dhe akuza pompoze që shfryhen rrugës…. Raste ka plot. Mjaft të kujtojmë akuzën në Bashkinë e Lushnjës për një kanal (për një kanal të mbaruar) ku u arrestuan një dyzinë njerëzish bashkë me kryetarin e bashkisë, dhe këtij të fundit i ndryshuan edhe akuzën rrugës.

Si nisi çështja e stërhetuar nga media e uniformave të policisë? Si bitisi? Mjerim i madh.

SPAK u ngrit për të ndëshkuar korrupsionin në nivele të larta të politikës dhe qeverisjes. Pikë. Jo për të na ushqyer me statistika. Mark Tueni thoshte, çfarë t’i bëj fakteve se statistikat i bëj si të dua.

SPAK-u është në limitin e fundit për të mos u kthyer në një shaka të madhe.

Vendi dhe opinioni publik nuk kanë nevojë për sasi, por për cilësi. Mjaft të kenë kurajon tç mbyllin VETËM 4 çështje dhe do t’i bëjnë nder të madh vetes, shërbim vendit dhe një dhuratë ndërkombëtarëve të lodhur nga pritja rraskapitëse për sukses.

Mjaft të kenë kurajon të hetojnë skandalin e incineratorëve. Në fakt hetimi është bërë nga parti politike, nga ojf, dhe nga media. Mbetet vetëm të gjendet kurajo e humbur në SPAK.

Së dyti mjaft të kenë kurajo të mbyllin dosjen e konçesioneve dhe të marrin edhe njëherë fletë arrestin e anuluar.

Së treti, të kenë kurajon që të hetojnë krimin zgjedhor dhe jo t’ia përcjellin prokurorisë së Peshkopisë.

Së katërti, të kenë kurajon dhe ti gjejnë pronarin e vërtetë 700 mijë eurove të pastruese.

Pse përmenda katër çështje. Këtë vit SPAK mbush katër vjet punë. Të paktën kryejnë një çështje në vit që publiku të thotë: hallall rrogat speciale që paguajmë për ta.

Nëse publikut i thua kam hetuar 400 çështje - nuk t’i bën hallall taksat që paguan për rrogat e SPAK.

Video