Rama, ky triumfator i pandalshëm

14 Maj 2025, 20:41Pikëpamje SHKRUAR NGA SADEDIN MEZURAJ
Edi Rama

Në zgjedhjet politike të 11 majit në Shqipëri, Partia Socialiste e drejtuar nga Edi Rama, sipas rezultateve paraprake, siguroi jo vetëm mandatin e katërt qeverisës, por po shkon drejt një mazhorance të fortë.

Rama, ky triumfator i pandalshëm, mbetet një prej personaliteteve më komplekse të tranzicionit shqiptar. I vlerësuar nga mbështetësit si një motor i reformave dhe përfaqësues i modernizimit, por i anatemuar nga opozita si “simbol i autoritarizmit dhe korrupsionit”, ai vazhdon të fitojë në një skenë politike të polarizuar.

Kanë kaluar më shumë se tridhjetë vite që kur Shqipëria doli nga izolimi totalitar dhe nisi rrugëtimin e saj të vështirë drejt demokracisë. Ky tranzicion i ngarkuar me trauma, konflikte, kriza dhe zhgënjime, ka prodhuar figura të forta dhe ndarje të thella. Mes tyre, Edi Rama ka mbetur konstant në kontradiktën që e përkufizon: një intelektual rebel i viteve '90, një piktor me ndjeshmëri estetike, por edhe një politikan vizionar dhe kreativ, me etje për pushtet dhe zotësi të padiskutueshme për të mbajtur në kontroll narrativën publike.

Edhe pas tre mandateve qeverisëse, mes arritjeve të dukshme dhe akuzave për korrupsion, ai ia doli të fitojë sërish, përballë një opozite të fragmentuar dhe një PD-je të vjetër, në stil dhe mendësi, e udhëhequr nga një figurë historike dhe e konsumuar si Sali Berisha.

Por fitorja spaktakolare e Ramës nuk është vetëm pasojë e një opozite të dobët, të përçarë dhe të pabesueshme, por edhe shprehje e një psikologjie elektorale të ndërlikuar, ku realizmi i ftohtë ndaj alternativave politike ndërthuret me një lloj besimi bestyt – një investim emocional dhe pothuaj mitik në figurën e tij si lider.

Në një shoqëri ende të zhgënjyer nga politika, por jo e çliruar prej saj, Rama mbetet figura e vetme që ngjall njëfarë sigurie, qoftë përmes karizmës personale, qoftë përmes narrativës së integrimit europian dhe progresit të kontrolluar.

Elektorati shqiptar, i lodhur nga një tranzicion i tejzgjatur dhe nga krizat e përhershme institucionale, ka zgjedhur më shumë stabilitetin dhe vazhdimësinë e “projektit Rama”,sesa një rotacion të ri të drejtuar nga një forcë politike e pa reformuar si PD.

Eshtë e sigurt se për PS kanë votuar edhe mijra të majtë të pakënaqur. Edhe pse politikat qeverisëse nuk kanë arritur të materializohen dukshëm në jetën e tyre si të mira imediate personale, ata kanë votuar më shumë si patriotë, sesa si militantë të thekur, duke zgjedhur me pragmatizëm “të keqen më të vogël” si shpresën më të madhe, për të dalë nga tuneli tranzicionit dhe mbritur në BE në vitin 2030.

Ndërkohë, stili populist i Ramës, i cili përzien fjalorin e thjeshtë me estetikën e spektaklit, ironinë me autoritetin, dhe rrjetet sociale me propagandën klasike, ka krijuar një lidhje pothuaj emocionale me një pjesë të gjerë të votuesve, të cilët e perceptojnë atë si figurë me vullnet politik progresist dhe të aftë për të përballuar sfidat e vendit.

Fitorja e Ramës është një simptomë e mungesës së alternativës dhe një pasqyrë e përpjekjeve që Shqipëria ka ende për të bërë në udhën drejt Bashkimit Europian.

Në këtë kontekst, vota për mandatin e katërt të PS nuk është thjesht një votë politike, por një akt kolektiv i cili projekton shpresën e fundit për përmbushjen e një premtimi historik: përmbylljen e tranzicionit dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Rama, në këtë narrativë, u përceptua si i vetmi që mund ta përmbushë këtë mision, jo vetëm si strateg, por si simbol i një Shqipërie që kërkon më në fund të dalë nga periferia e historisë dhe të zërë vendin që i takon në familjen e madhe europiane.

Fitorja e mandatit të katërt radhazi e Partisë Socialiste, e udhëhequr nga Edi Rama, padyshim që është një ngjarje pa precedent në historinë e pluralizmit shqiptar. Ajo që në sipërfaqe mund të lexohet si një tjetër fitore politike e një partie me organizim kapilar në të gjithë territorin e vendit dhe me një lider karizmatik, në thelb pasqyron më shumë: një diagnozë të gjendjes së demokracisë shqiptare dhe të ndërgjegjes kolektive të një populli që mbetet i ngujuar në një tranzicion pa fund.

Fitorja e Ramës është, sigurisht, në një masë të konsiderueshme, produkt i një opozite të rraskapitur nga krizat e brendshme, nga mungesa e një vizioni të qartë dhe nga përfaqësimi prej një figure politike të konsumuar si Sali Berisha. Thirrja e një këshilltari amerikan për dizenjimin e strategjisë elektorale të PD-së dhe besimi se, replikimi sloganit trampist për “Shqipërinë madhështore” do të hipnotizonte elektoratin shqiptar, u dëshmuan si orvajtje naive dhe një makiazh estetik mbi profilin e vjetëruar politik të liderit Sali Berisha. E vetmja “risi” në marketingun elektoral të PD-së ishte vendosja e kapeles në kokën e plakur të Sali Berishës, për krijimin e një imazh “cool” dhe sportiv, të një lideri të parinovueshëm në qasje dhe mendësi.

Por reduktimi i triumfit të Edi Ramës vetëm në dështimin e kundërshtarëve do të ishte një lexim sipërfaqësor dhe i padrejtë ndaj kompleksitetit të realitetit shqiptar.

Sepse, më thellë se kaq, ky rezultat, përpos arritjeve të qeverisjes socialiste dhe meritave të padiskutushme të lidershipit Rama, dëshmon për një marrëdhënie të ndërlikuar dhe ambivalente mes elektoratit dhe liderit që e drejton vendin prej më shumë se një dekade.

Në fakt, ajo që e mban në pushtet Ramën nuk është vetëm vizioni politik, aftësia kreative për të prodhuar spektakël politik apo për të ndërtuar një makineri elektorale të disiplinuar. Është edhe – dhe ndoshta më shumë – një mekanizëm antropologjiko-psikopolitik që përfshin një lloj identifikimi emocional, thuajse mitik, të një pjese të madhe të elektoratit me figurën e tij. Rama nuk shihet vetëm si kryeministër, por si simbol i rendit në kaos, i “të vetmit që mund” të kthejë energjinë e një tranzicioni kaotik në progres, rregull dhe prosperitet.

Nëse e vendosim këtë triumf në një kontekst më të gjerë teorik dhe krahasues, figura e Edi Ramës nga media dhe analistët politikë shpesh është portretizuar si politikan i një tipologjie të re liderësh politikë që ndërthurin populizmin karizmatik, autoritarizmin dhe komunikimin elektoral direkt me popullin,nëpërmjet teknologjisë dhe rrjeteve sociale.

Stili i tij i të qeverisurit, sipas opinionbërësve të kafeneve mediatike, ka ngjashmëri të dukshme me modelin e Recep Erdogan por edhe me të ndjerin Silvio Berlusconi, sidomos në përdorimin e stilit “pop-star” dhe personalizimin e jetës politike. Ai shfaqet si një figurë ekstravagante, e padisiplinuar në gjuhë, por shumë i disiplinuar në ruajtjen e kontrollit të pushtetit.

Rama është kthyer kështu në një figure dikotomike – njëkohësisht produkt i sistemit dhe jashtë tijnë stil, imazh dhe komunikimin mediatik.  Ai mbetet figura e politikanit që kërkon hapsira dhe figura mbështetëse përtej polarizimit klasik “e majta-e djathta”, duke dominuar në një terren ku loja politike nuk zhvillohet vetëm mes ideve dhe alternativave, por edhe mes simbolikës dhe perceptimeve publike.

Në aspektin kulturor, Rama shfrytëzon një psikologji kolektive të tranzicionit të papërmbyllur, ku qytetari shqiptar, i zhgënjyer nga ideologjitë, i pasigurt për të ardhmen dhe i mbingarkuar nga cinizmi, kërkon një figurë që të mos jetë thjesht politike, por edhe simbolike – një përfaqësues i një Shqipërie që dëshiron të jetë moderne, europiane, me institucione të forta, si shtyllat që e garantojnë modernizimin dhe progresin demokratik. Kjo është, siç do ta përshkruante Slavoj ?i?ek, një formë identifikimi ideologjik në nivel të dëshirës, ku qytetari nuk ndjek thjesht një program, por një fantazi: fantazinë e përkatësisë, të përparimit, të dritës në fund të tunelit.

Kësisoj, fitorja e katërt e Edi Ramës nuk është vetëm rezultat i një sistemi elektoral, por i një sistemi mendësish. Një demokraci që funksionon si spektakël, një elektorat që shpesh voton për t’u përfaqësuar emocionalisht, jo racionalisht, dhe një klasë politike pa ofertë të besueshme alternative – këto janë komponentët që prodhojnë triumfet e përsëritura të një lideri që di të lexojë kohën dhe të përmbushi,më mirë se të gjithë të tjerët, pritshmëritë politike të elektoratit.

Stili i tij populist – që ndërthur thjeshtësinë me arrogancën, gjuhën e zakonshme me metaforën politike, teknologjinë me artin, ironinë me autoritetin, ka ndërtuar një lloj komunikimi të drejtpërdrejtë me votuesin, që ndonjëherë ndjehet më shumë si spektator sesa si qytetar aktiv. Në një shoqëri ku besimi tek institucionet është ende i ulët, ku idealet janë konsumuar dhe shpresa është kthyer në sarkazëm, Rama është kthyer në figurën e "njeriut të fundit" i cili, me gjithë defektet dhe mëkatet e tij, mund të finalizojë antarësimin e Shqipërisë në BE.

Kjo marrëdhënie e komplikuar shpjegon edhe prirjen për të relativizuar problemet serioze të qeverisjes: korrupsionin, mungesën e transparencës apo autoritarizmin latent.Një pjesë e elektoratit shqiptar, e lodhur nga krizat ciklike dhe retorikat boshe, e ka brëndësuar idenë se tani për tani në spektrin politik "nuk ka më të mirë" se Rama dhe se ai është i vetmi që flet gjuhën e realitetit, edhe kur ai realitet është i ashpër dhe jo gjithmonë i drejtë.

Kjo votë pra, nuk është thjesht një akt racional zgjedhjeje, por edhe një akt simbolik i mbështetjes ndaj një ideje: se për të përmbushur ëndrrën europiane, Shqipëria ka nevojë për një forcë politke progresiste me një lider të fortë, të përqëndruar, të “pranuar jashtë” dhe të aftë për të negociuar me faktorin ndërkombëtar.

Premtimi i anëtarësimit në Bashkimin Europian deri në vitin 2030 ishte boshti narrativ i fushatës elektorale dhe synimi final i këtij mandati të katërt – një lloj premtimi mesianik, që do të mbyllë epokën e tranzicionit dhe do të legjitimojë në mënyrë përfundimtare qeverisjen e tij.

Në këtë kontekst, fitorja e katërt e Edi Ramës nuk është vetëm një fakt politik: është një simptomë kulturore, një pasqyrë e mendësisë kolektive, një provë e mungesës së alternativës, por edhe e nevojës për stabilitet në një vend që endet në kufijtë e së ardhmes. Pyetja që mbetet e hapur është: a do të jetë ky mandati i përmbylljes së tranzicionit, apo thjesht një kapitull tjetër në një histori të pafund të një demokracie të papjekur?

Video