Nuk jemi në kushtet e keqpërdorimit të gazetarisë, por në kushtet e keqpërdorimit të shtetit

30 Maj 2024, 19:39Pikëpamje SHKRUAR NGA MERO BAZE
Rexhina Omeri, punonjëse në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore në Durrës dhe i shpalluri në kërkim Kushtrim Selimi, shef sektori në Drejtorinë e Përgjithshme të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, është një nga tre shërbimet sekrete të Shqipërisë, krahas Shërbimit Informativ Shtetëror dhe atij të Ushtrisë. Pra në një farë mënyre është shërbimi sekret i policisë.

Dy zyrtarë të këtij shërbimi, përdornin të dhënat që zotërojnë për shkak të detyrës për të denigruar dhe shantazhuar zyrtarë të lartë të policisë së shtetit përmes portaleve anonimë.

Debati për arrestimin e një punonjësi të medias, që shërbente për t’u postuar këtyre lajmeve, nuk ka të bëj fare me gazetarinë. Këtu nuk jemi në rastin kur ai po keqpërdor gazetarinë. Ai nuk po punon si gazetar, por si shkruajtës tekstesh.

Problem më serioz këtu është se si strukturat shtetërore përdorin detyrën e tyre për të shantazhuar eprorë apo kolegë të tyre. Pra nuk jemi në kushtet e keqpërdorimit të gazetarisë, por në kushtet e keqpërdorimit të shtetit.

Nuk e di ça u është dashur ai punonjësi i medias këtyre dy zyrtarëve të shërbimit sekret se atë punë aq banale mund ta bënin dhe vetë, por thjesht kanë përtuar dhe kanë paguar një rrogë më shumë.

Shqetësimi i disa organizatave të medies për transparencën e ndalimit të këtij punonjësi të medias, parimisht qëndron, por në realitet nuk është ai problemi.

Problemi është që në Shqipëri nuk ka ende një ligj që rregullon funksionimin ligjor të atyre që i quajnë tani portale, dhe që në fakt siç provohet janë mekanizma, ose të krimit të organizuar ose të zyrtarëve të korruptuar që i përdorin për luftë ndaj njëri-tjetrit. Etiketimi si gazetar i atyre që punojnë në këtë industri shantazhi është fyese për gazetarinë. Ata janë punonjës me mëditje që bëjnë shërbime online, si njëri që shet mallra online, por nuk kanë lidhje me gazetarinë. Madje rasti në fjalë sipas dëshmive e ka pranuar vetë që ka qenë i qartë se po bënte një punë të gabuar, por kishte nevojë për lek. Si vrasësit me pagesë.

Pikërisht për këtë arsye Shqipëria ka nevojë ulëritëse, për një ligj që regjistron portalet që merren me gazetari dhe ti certifikojë ato si media me qëllime publike.

Aty të jetë i publikuar stafi, pronari objektivat e medies në fjalë. Çdo gjë tjetër pastaj është tregti online dhe nuk ka pse ngatërrohet me gazetarinë. Ka portale marketing, portale që shesin brekë apo këmisha, të tjerë që reklamojnë hotele etj, por nuk kanë lidhje me gazetarinë.

Gazetaria e bën dallimin nga produkti, e jo nga mjeti se ku apo si transmetohet.

Produktet gazetareske dikur transmetoheshin përmes gazetave të shtypura, apo përmes antenave, kurse tani përmes internetit, por ato nuk kanë lidhje me çdo gjë që transmetohet përmes internetit.

Diferenca mes gazetarisë dhe mallrave të tjera online është se gazetaria ka mision publik, dhe shkruan për interes publik. Edhe kur ka sulme ndaj politikanëve apo zyrtarëve të lart i ka për interes për publik. Çdo gjë tjetër është vepër penale.

Ngatërresa e çdo transmetimi online i quajtur portal me gazetarinë që tani është e detyruar të transmetohet onlinë, është sikur të ngatërrosh, Larry King me fituesin e Bib Brotherit, meqë të dy dalin në televizor.

Kjo mangësi e rënd në legjislacionin shqiptar ka dëmtuar shtypin tradicional, dhe ka minuar përvojën 30 vjeçare të shumë personaliteteve të shtypit në Shqipëri që kanë jetuar si gazetarë në këtë vend dhe tani duhet të relativizohen si punonjës portalesh.

 

Fakti që gjithkujt, qoftë ky kriminel, si ata të Sky, apo zyrtar shërbimesh sekrete, i shkon mendja të përdor portalet anonime për shantazhe mafioze, tregon qartë se çfarë humnere ka krijuar mungesa e ligjit për portalet në Shqipëri, të cilën qeveria, sa herë nis ta bëjë, shton nga një pisllëk, që të mos pranohet nga ndërkombëtarët dhe pastaj thotë “kokën hëngrshi”. Njësoj si për bandat.

Dhe në fakt gazetaria po degradon në një luftë bandash, ku ti e kupton fare mirë kush gazetar është me kë bandë, njësoj siç kuptohej vite më parë kush gazetar është me kë parti, apo siç e kupton sot kur shikon qeverinë e Edi Ramës dhe kupton kush pushtetar paguan kë portal. Dhe kjo nuk tregon vetëm ku po shkon gazetaria, po ku po shkon shteti dhe shoqëria shqiptare.

Video