Nga Aladin Stafa
Vetëm pak ditë më parë një ngjarje e pazakontë ndodhi. Presidenti dhe numri dy i Iranit, Ebrahim Raisi, humbi jetën në një aksident ajror. Ky lajm tërhoqi vëmendjen e shumë mediave botërore ndaj dhe shumë analistë e ekspertë të ndryshëm ndezën polemika se si do të jetë më tej e ardhmja e Iranit, pasiqë ky i fundit shihej dhe si pasuesi i Ali Khmanenei-t, Liderit Suprem të Iranit. Dhe jo vetëm.
Irani është një shtet jo arab në Lindjen e Mesme që së fundmi e rriti potencialin e vet në lëvizjet gjeopolitike jo vetem në rajon por edhe në balancën e brishtë të të gjithë globit. Duke e risjellë në vëmendje forcën e vet në mënyrë të pashmangshme tek fuqitë e mëdha.
Irani, një shtet diktatorial dhe i ashpër sa i përket qeverisjes së tij është i orientuar drejt ideologjisë fetare i vendosur tashmë pedant në anën lindore të botës. Kahu i interesave social -ekonomike por jo vetëm dhe ato politike ka kohë që i është larguar perëndimit. Ndaj dhe koordinimi dhe arritja e marreveshjeve mes aleatëve të tij vetë por dhe atyre euro-atlantikë jane gati të pamundura.
Kjo e ka vështirësuar raportin e tij sidomos me Izraelin së fundmi që nga sulmi i tetorit të vitit të kaluar në një kibutz ndaj qytetarëve hebrenj.
Një sulm që përmbysi krejtësisht një marrëdhënie që u mendua se ish rekuperuar. Duke e pozicionuar fort atë në krah të Hamasit së fundmi, në konfliktin mes Izraelit dhe këtij krahu radikal islamist. Duke lozur gjithashtu dhe një rol jo të vogël në marrëdheniet ekonomike që kjo pjesë e botës ka me Rusinë. E cuditshme ta mendosh por më në fund Irani tanimë ndryshe nga sa perceptohej, do të kishte në duar një kartë të re të cilën të mund ta luante fort në një botë të trazuar që po ndryshon kaq shpejt.
Por cfarë na mëson historia për këtë shtet? Sa pas duhet të kthehemi në kohë për të kuptuar ideologjinë e këtij vendi? Si arriti të formësohej në një fuqi botërore dhe a gjendet ai rastësisht në këto pozita apo ka qenë e pritshme bazuar në themel të historisë së tij?
Irani gëzon një nga linjat më të pasura historike të çdo shteti modern që shtrihet disa mijëra vjet më parë. Kjo histori mund të ndahet gjerësisht në tre epoka: periudha antike paraislamike, epoka islame dhe epoka moderne. E përcaktuar më pas me atë që u quajt epoka e modernitetit perëndimor e që u shënua aty rreth vitit 1800, pra shek. i 19-të.
E si në cdo rast, për të shkuar tek gjeneza, faktet historike që nga periudha e antikitetit na japin të drejten të themi se ky civilizim do t’i mbijetojë kohës. Ndaj dhe gjatë shekujve ky qytetërim jo vetëm që nuk do shuhej por përkundrazi do të njihte një përhapje të gjerë në rajonin aziatik dhe jo vetëm.
Në shekullin e 7-të, një fuqi e re mësyu në Gadishullin Arabik – Islami, një fe që e transformoi popullin iranian në mendësi dhe botkuptim megjithëse ajo u mbështet thellësisht në kulturën politike dhe fetare të trashëgimisë së thellë të Iranit të lashtë.
Duke ardhur deri në kohët e sotme moderne, ku sfidat dhe ideologjitë fort të betonizuara ndër shekuj e bënë Iranin një lojtar sa të fortë aq edhe të brishtë.
Vetëm duke ju referuar pikërisht kësaj panorame mund të themi me bindje si e vetmja gjë që na intrigon pas asaj ngjarjeje të pazakontë që ndodhi në malet e Azerbaxhanit, atij aksidenti ajror ku humbi jetën presidenti Raisi, se sigurisht nuk do të ketë aspak asnjë ndërrim kursi nga ikja e tij. Regjimi i vendosur prej dekadash do të vazhdojë të ndjekë të njëjtat parime dhe ideologji duke vërtetuar edhe njëherë se cdokush mund të jetë i zëvëndësueshëm.
Madje dhe vetë Lideri Suprem.
Tashmë në Iran kemi dy palë; regjimin dhe popullin. Dy palë që thellësisht jetojnë në dy botë të ndryshme, ku asnjëri prej tyre nuk kujdeset për tjetrin ndërsa tabloja ekonomike sa vjen dhe rëndohet.
Ndaj dhe zbulimi i së vërtetës së atij aksidenti do të mbetet për njerëzimin një enigmë mbushur me mister.
Kjo është arsyeja pse shkaku i aksidentit ajror të presidentit të vendit përbën më pak se lajm krahasuar me atë cfarë bota don të dëgjojë prej Iranit.
Dicka të re prej këtij fronti radikal të lindjes.