Inteligjenca Artificiale, fati apo fundi i njerëzimit

16 Tetor 2024, 21:40Pikëpamje SHKRUAR NGA PIRO AHMETAJ
Inteligjenca Artificiale, fati apo fundi i njerëzimit - Nga Piro Ahmetaj

Nga gjeneral Piro Ahmetaj*

Në vijim gjeni përmbledhje strategjike mbi oportunitetet dhe rreziqet më kritike për individin, shkencën, shoqërinë njerëzore, kulturën dhe rendin botëror, pra rreth: “Inteligjencës Artificiale”, duke j'u referuar filozofit më të shquar të historisë moderne të njerëzimit, Prof. Yuval Noah Harari:

Së pari, Inteligjenca Artificiale (Artificial Inteligence, shkurt AI), po arrin në kufijtë e shoqërizimit, duke influencuar ndjenjat/lidhjet emocionale, sociale, madje edhe vetë kuptimin e ekzistencës tonë. Nga ana tjetër, “një set pyetjesh të forta” ngrihen mbi AI, të cilat po dominojnë diskutimet akademike, shkencore, politike, zyrtare dhe shoqërinë njerëzore: çfarë oportunitetesh dhe kërcënimesh paraqet AI për ardhmërinë e njerëzimit ?; Referuar edhe Biblës: “A do përbënte AI një betejë kundër natyrës, bashkë me të, fundin e historisë së njerëzimit”? A është e mundur (?), A do të jetë në gjendje shoqëria njerëzore të prodhojë mekanizmat e duhura për të adresuar përfitimet si dhe për tu mbrojtur sa nuk është von nga AI?

Dekadën e fundit, Institucionet e sigurisë në rrafshin kombëtar dhe Global, mbeten të fokusuara mbi pasojat e riciklimit të luftës neonaziste të Rusisë – Putiniste për pushtimin e Ukrainës; përballjen me terroristët e pa Fe në Lindjen e Mesme; sfidat e paqes në Ballkanin Perëndimor; programet e armëve të shkatërrimit në masë në Korenë e Veriut, Iran, krizën ekologjike, me të cilat po përballet njerëzimi. Për mirë apo për keq, edhe AI po demostron peshë gjithnjë e me përcaktuese në të gjitha sa përmendëm, si dhe për të përmirësuar ose përkeqësuar edhe sistemin ekologjik 4 miliardë vjeçar të planetit Tokë.

Në fakt, frikësimi i njerëzimit nga AI ka nisur bashkë me epokën e kompjuterit nga mesi i shekullit të 20-të, me çfaqjen e filmave fantastiko-shkencor, Terminator ose Matrix.  Por ndërkohë që skenarët fantastiko-shkencor janë bërë pika referimi kulturore, ata nuk janë marrë seriozisht në debatet shkencore, politike, etj.

Inteligjencës Artificiale (AI) po përparon frikshëm, deri në kufijtë për tu bërë e ndjeshme, pra zotërimin e ndjenjave dhe ndërgjegjes, ose të bëhet e aftë për të influencuar kulturën dhe botën fizike. Dhe ndoshta më shpejt seç mendohet, Robotët do të jenë në gjendje të lëvizin dhe të veprojnë në shtëpi, qytete, male, pyje, ekonomi, shkencë, mjekësi, hapësire, ushtri, polici, etj, edhe më me efikasitet sa dhe vetë Ne/njerëzit. Gjithësesi, edhe për Chat GPT apo të tjera teknologji të reja të AI, ende nuk kanë prova që ato të zotërojnë vetëdije, emocione, etj si p.sh, data që automjetet vetëdrejtuese, vazhdon të shtyhet.

“Lajmi i keq” është se për të kërcënuar mbijetesën e qytetërimit tonë, AI nuk ka nevojë për ndërgjegje. Ndryshe nga sa mund të mendohet, AI është në gjendje të mësojë dhe përmirësohet vetë, deri në masën sa vetë zhvilluesit e këtyre mjeteve suprizohen me aftësitë e plota të AI !? Prandaj, Harari parashikon që me këto aftësi AI, rrezikon të "gllabërojë deri edhe kulturën njerëzore".

Tashmë jemi të familjarizuar për disa nga aftësitë më themelore që zotëron AI, si ato të shkrimit të tekstit, vizatimit të imazheve, kompozimit të muzikës, fjalimeve politike, hapjes së kodeve, etj. Por, ka shumë aftësi shtesë që po shfaqen si falsifikim i thellë i zërave dhe imazheve (Deep Fake), kontratat ligjore, deri aftësitë për të “rekomanduar” marrëdhënie intime mes qënieve njerëzore.

Së dyti, aspekti më i rëndësishëm i revolucionit të AI, është zotërimi i gjuhës në një nivel që tejkalon edhe aftësinë njerëzore ! Por me zotërimin e gjuhës njerëzore, AI “kërcënon të depërtojë në çelësat” që ç’bllokojnë dyert e institucioneve, bankave, emailet, FB, etj. Ndërsa kështu, AI është shumë afër për të hakuar përdorim e gjuhës dhe për të krijuar mitologji, ligje, art, shkencë, politik, deri për të bashkëjetuar miqësisht me “njeriun tokësor”!  Nëpërmjet zotërimit të gjuhës AI gjithashtu mund të krijojë marrëdhënie intime (ndërvartësie) me njerëzit dhe për të ndikuar në opinionet dhe pikëpamjet tona mbi botën. Që AI të ketë ndërgjegje, nuk ka nevojë për ndjenjat e veta, pasi (keq) përdor vartësinë njerëzore ndaj AI. 

Kështu, AI ka ngritur një pyetje të madhe: “çfarë do të thoshte për qëniet njerëzore të jetonin në një botë ku ndoshta shumica e tregimeve, melodive, imazheve, ligjeve, politikave dhe mjeteve janë formëzuar nga Alienët, pra jo-njerëzore, të cilët ditën të shfrytëzonin me efikasitet, dobësitë dhe ka arritën të krijojnë marrëdhënie, madje intime me qëniet njerëzore” ?!

Sot, asnjë njeri nuk mund të shpresojë të mundë një kompjuter në lojën e shahut ! E njëjta gjë po ndodhë në art, në politikë, ekonomi, arsimim, sport, muzik, shëndetësi, etj. Çfarë do të ndodhë me sistemin arsimor kur fëmijët të shkruajnë esetë e tyre me Chat GPT (?), etj. Së shpejti mund ta gjejmë veten duke zhvilluar diskutime në internet për abortin, ndryshimin e klimës, apo përballjen me entitete që ne mendojmë se janë qënie njerëzore, por në të vërtetë mund të jenë Robotë të AI. A nuk do ishte krejtësisht e kotë, që ne të humbim kohën tonë duke u përpjekur të bindim një Robot të AI të ndryshojë pikëpamjet e tij, pasi sa më gjatë të kalojmë duke folur me Robotin, aq më mirë ai na njeh si dhe më lehtesisht i përpunon mesazhet për të na ndryshuar pikëpamjet tona politike dhe në çdo fushë tjetër.

Në qershor 2022 ndodhi një incident i famshëm kur inxhinieri i Google, Blake Lemoine, i cili deklaroi publikisht se Chatbot-i/AI, Lambda (për të cilin ai punonte) u bë një qënie e ndjeshme që reagoi ndaj tij. Por Profesori humbi punën shumë fitimprurëse, pikërisht kur mendonte se po mbronte Chatbot-in e AI.  Çfarë do të ndodhë me shoqërinë njerëzore ndërsa AI po përparon në një betejë për të krijuar marrëdhënie intime me Ne/njeriun, që më pas mund të përdoren për të na bindur të blejmë produkte të veçanta, ose të votojmë për Parti ose politikanë të veçantë apo deri edhe me kë të martohemi ?!

Së treti, sot njerëzit mund të përdorin një këshilltar të vetëm të AI, si Oracle me një ndalesë (one stop shop) dhe si burim për të gjithë informacionin që u nevojitet. Pse të shqetësoheni për të kërkuar diçka kur thjesht mund t'i kërkoni Oracle-it t'ju tregojë gjithçka që dëshironi ? Pra, ekziston mundësia që brënda një kohe të shkurtër e gjithë industria e reklamave të shembet, ndërsa AI si dhe pronarët dhe kompanitë që kontrollojnë AI do të bëhen jashtëzakonisht të pasur dhe rrjedhimisht më të fuqishëm. Pra kjo për të cilën po flasim, potencialisht nuk është fundi i historisë njerëzore, por fundi i pjesës së dominuar nga njeriu.

Brenda pak vitesh Inteligjenca Artificiale mund të memorizojë/përvetësojë të gjithë historin e kulturës njerëzore, pra gjithçka u prodhua për mijëra e mijëra vjet. Mos të harrojme se Ne/njerëzit nuk kemi njëherë e përgjithmonë të drejtë për realitetin. Mjetet e mëparshme si shtypshkronjat, radiot, apo televizorët ndihmuan në përhapjen e kulturave, por ato kurrë nuk mund të krijonin diçka të re vetë. Një shtypshkronjë nuk mund të krijojë një libër të ri, atë e bën/nte vetëm njeriu. Prandaj, IA është thelbësisht e ndryshme nga makinat e shtypit, nga radiot, nga çdo shpikje e mëparshme në histori, pasi AI mund të krijojë ide, histori, imazhe, realitet krejtësisht të reja dhe kështu mund të krijojë një kulturë të re, apo Jo ?

Së shpejti, Ne/njerëzit mund ta gjejmë veten duke jetuar brenda ëndrrave dhe fantazive që janë thelbësisht të ndryshme nga shumica e gjërave të imagjinuara në filma dhe libra fantastiko-shkencor. Më parë njerëzit kishin frikë nga kërcënimi fizik që paraqesin makinat inteligjente, që mund të vraponin rrugëve dhe qëllonin/vrisnin. Ndryshe nga disa teori konspirative, AI nuk ka nevojë të dërgojë Robotë vrasës, pasi AI mund t'i influencojë lehtësisht njerëzit të tërheqin këmbëzën nëse/kur ka nevojë …!

Që nga kohërat e lashta, njerëzit kishin frikë se mos ishin të bllokuar në një botë iluzionesh. Në Greqinë e lashtë, Platoni tregoi alegorinë e shpellës ku një grup njerëzish të lidhur me zinxhirë gjatë gjithë jetës së tyre përballë një muri të zbrazët, ose ekrani le të themi.  Me vonë Buda tha se: “ajo që Ne normalisht e konsiderojmë realitet është shpesh vetëm trillim në mendjet tona”. Njerëzit kanë bërë luftëra të tëra duke vrarë dhe duke qenë të gatshëm të vriten vetë, për shkak të besimit të tyre në këto trillime!

Pra, revolucioni i AI do/po na sjell ballë për ballë me demonin e shpellës se Platonit dhe Buda-s, nëse nëse nuk do të jemi në gjendje ta heqim këtë perde iluzionesh duke menduar se ky është realitet. Megjithatë, këto mjete të Inteligjencës Artificiale kanë qenë të mjaftueshme për të krijuar këtë lloj perde iluzionesh që rrisin polarizimin shoqëror, minojnë shëndetin mendor dhe besimin te vlerat e shoqërisë demokratike.

Mesazhe përmbledhëse, pa mëdyshje, që Inteligjenca Artificiale (AI) mbart potenciale të jashtëzakonshme positive, si p.sh në gjetjen e kurave ndaj kancerit, etj; zhvillimin e ekonomisë dhe mirëqënies, për paqen dhe sigurinë; kapërcimin e krizës ekologjike, etj sfida me të cilat po përballet shoqëria njerëzore.  Në 1945, në Hiroshima u provua fuqia shkatërruese e bombës atomike. Por a nuk do përfitonte njerëzimi duke prodhuar në vend të bombave energji të lirë dhe të bollshme ?  Kështu na duhet të mendojmë edhe për këtë armë të re (AI), që nëse nuk e vendosim nën rregulla/kontroll Sot, në vend të përfitimeve, mund të asgjësojë botën tonë mendore dhe bashkë me të njerëzimin.

Prandaj Qeveritë duhet të ndalojnë përdorimin e çdo programi të ri përpara se AI të dali jashtë kontrollit. Hapi i parë është rregullimi ligjor i (sh) përdorimit të programeve të AI në shkollat publike. Ndërsa për çensurën në internet, Twitter, Facebook, Tik-Tok, etj, duhet marrë në konsiderat që vetëm qëniet njerëzore kanë lirinë e shprehjes, Robotët nuk e kanë gjithësesi. Kështu që nëse i vendosim nën kontroll që Sot, ose ju “mohojmë lirinë e shprehjes Robotëve”, mendoj se kjo duhet të jetë shume e mirë me të gjithë, apo Jo?

Në botën që rrokulliset me konflikte kaotike, AI perceptohet si: “zgjidhja/mallkimi jashtetokësor” drejt fundit të historisë njerëzore, edhe pse për të kërcënuar themelet e qytetërimit nuk ka gjithësesi nevojë për Inteligjencen Artificiale…! Diktaturat, Autokratët e moderuar (me kullaro dhe bejte demokratike), shtetet e dështuara, demokracitë fasade/burokratike (RSh = fanar ndriçues), ektremizmi i cdo lloj forme, rikthimi te lufta neo-Naziste, armët bërthamore, dezinformimi nga mediat, etj janë prova të vetë-mjaftueshme për të krijuar kaos social, politik, Qeverisës, vlerave si dhe hedhur në greminë shoqërinë njerëzore.

Për më keq, zotërimi i fuqisë së AI, është arma e duhur që demokracitë të përthithen dhe përmiren nga diktatorët ose autokratët e veshur me kullaro perëndimore. Demokracia është një bisedë e lirë që mbështetet te gjuha/komunikimi. Kur AI hakeron gjuhën, mund të “burgosë lirinë” për të zhvilluar përgjegjësitë publike duke shkatërruar kështu demokracinë. Dhe nëse presim kaosin total, pasojë e pluralizmit fasadë (si në rastin e RSh), do të jetë tepër vonë që vendi dhe shoqëria të ri-sillet në shinat dhe vlerat demokratike.   

Padyshim që megjithë zhvillimet e sipërpërmendura, AI mbetet ende artificiale, në kuptimin që Ne/njerzit e prodhojmë. Por është po ashtu fakt që AI prodhon gjithnjë e më shumë vetveten, pra po del jashtë kontrollit tonë! Atëhere gjëja më e rëndësishme është të kuptojmë me të vërtetë se me çfarë po përballemi dhe të mos ngushëllojmë veten me mendime delirante, si p.sh: “AI është produkt Ynë/njeriut, pra është nën kontrollin Tonë të plotë, dhe nëse përpiqet të bëjë diçka të gabuar Ne e heqim nga priza …”, etj si këto.

Përveç frikës se mund të na shkatërrojë qytetërimin, ende nuk dimë qartësisht për këtë “inteligjencë të huaj”. Prandaj duhet ndaluar zhvillimi i pakontrolluar i kësaj inteligjence, le ta quajmë Aliene, përpara se AI të na rregullojë apo shfarosë Ne/njerëzimin! Por kjo ka nevojë për vullnet dhe Leadeship i fortë si dhe fuqi kompjuterike shtesë, pra për më shumë para.

Regjimet autoritare nuk dëshirojnë, ndërsa vendet e vogla me demokraci fasadë (përfshi RSh) nuk kanë as mundësi të vetëm-përballen me AI. Gjithësesi mbetem shpresëplotë se ShBA, BE-ja, UK, etj, po/do ndërtojnë aq shpejtë sa të mos jetë vonë, “armën/Sistemin pro/anti-AI”, pra strategji, kornizë ligjore, Institucione, kapacitete dhe aftësi globale për të mbrojtur shoqërinë nga një katrastrofë apokaliptike. 

Ndërsa si mesazh përmbyllës: “Inteligjenca Artificiale (AI) mbetet si një thikë me dy presa”, pasi mbart përfitime por edhe rreziqe të jashtëzakonshme për shoqërinë njerëzore.  Kështu që, fati apo fundi i njerëzimit varet nga vendimet dhe veprimet që shoqëria do ndërmarrë përpara se AI të dalë jashtë kontrollit.

*Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n,

Zv/President i Këshillit të Atlantikut; & ish:

Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,

Këshilltar i Presidentit të RSh; Zv/ShShPFA,

Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO.

Video