Buxheti për shëndetësinë më i larti në 30 vjet, reflektim mbi arsyet dhe 6 pyetje që duan përgjigje

24 Tetor 2022, 12:48Pikëpamje SHKRUAR NGA DR. TRITAN KALO
Tritan Kalo

Në vitin e ardhshëm financiar 2023 parashihen investime madhore në SHËNDETËSI. Janë vlera të pa ofruara më parë përgjatë këtyre 30 vitesh demon-kraci për këtë sektor jetëkujdesës e jetëshpëtues për të gjithë. OPTIMIZMI që krijohet në një rast të tillë, si një mantelbardhë i panjolltë më bën të reflektojë objektivisht mbi arsyet dhe qëllimet thelbësore të këtyre investimeve në vitin e 11-të të qeverisjes së kësaj mazhorance “rilindase”:

A – Lidhen këto investime thjeshtë me një efekt elektoral, pra me zgjedhjet lokale të pranverës së vitit 2023? Apo janë prelud i një kthese të mirëpritur e të mirëdëshiruar në Shëndetësinë Publike, sikundër po shihet edhe me investimin prej 5.61 milion euro në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive të QSUNT-së, financuar nga Banka Botërore, apo nisur edhe nga mësimet e nxjera përgjatë menaxhimit të Pandemisë së Covid-19 ? (të cilën fatmirësisht e kemi futur në hullitë e endemicizimit të saj, sikundër ka ndodhur më parë me shumë e shumë infeksione të tjera të ngjashme ose jo me të).

B- Lidhen këto investime me pakësimin progresiv të “brain drain”, një dukuri bjerrëse e përkujdes-dhënësve në Shëndetsinë tonë, me pasoja afat shkurtëra, afat mesme dhe afatgjata për ecjen bashkëkohore në këtë sektor?

Në Tetor 2013 u organizua nga kjo mazhorancë në Pallatin e Brigadave, një takim me 150 mjekë shqiptarë të punësuar tashmë kudo në Botë nën okelion “Thuaj po Shqipërisë”, nga të cilët asnjëri nuk u rikthye. Përkundrazi, “shpurës së tyre” iu bashkuan më pas edhe qindra e mijëra mjekë tërë, duke e renditur Shqipërinë me numrin më të vogël të mjekëve në Europë, me më pak se 1.2 mjekë për 1000 banorë.

C- Lidhen këto investime me rritjen reale të pagave të përkujdes-dhënësve jo me indeksime inflacioniste si ky i fundit me 6 përqind, për të ulur jo vetëm shifrat e të larguarve nga Shëndetësia Publike, por edhe për të rritur shkallën e mbrothësimit të tyre, për të rritur shkallën e mirëbesimit e mirëkuptimit reciprok midis të sëmurëve dhe stafit mjek-infermierë-laborantë-farmacistë-teknicienë, të cilët kujdesen për ta; për të shmangur njëherë e mirë shikimin e xhepit të të sëmurëve, si një mundësi kompensimi të të ardhurave të munguara nga puna e tyre në këtë sektor?

D – Lidhen këto investime në vijimësinë dhe bashkëkohëzimin e infrastrukturës së pajisjeve diagnostikuese laboratorike, imazheristike, infrastrukturës hotelieristike në ofrimin e përkujdesit mjekësor dhe në veçanti të cilësimit teoriko-shkencor të burimeve njerëzore në të gjitha fushat dhe në të gjitha nivelet e këtij ofrimi?

E- Lidhen vallë këto investime me parapërgatitjet për PPP të tjera në sektorin e Shëndetësisë Publike, sikundër ka ndodhur jo rrallëherë deri më sot? Ajo çka ndodhi sidomos në katër vitet e para të qeverisjes së kësaj mazhorance, më ysht të mbërrij në dyshimin e mësipërm. Qofsha shumë-shumë i gabuar;

F- Lidhen vallë këto investime me zgjidhjen më së fundmi të “nyjes gordiane” përsa i përket Sigurimit Shëndetësor Universal, sikundër u premtua në qershor 2013, pra të asaj që Karta ime e Shëndetit të jetë e barazvlerëshme edhe në Sektorin Privat të Shëndetsisë, nëse unë ose kushdo prej nesh do t’a ketë të nevojëshme t’i adresohet asaj? Pra të jetë një mbulesë universale jo vetëm për diagnostimin por edhe për trajtimin e çdo lloj sëmundjeje në popullatën tonë?

TRANSPARENCA E PLOTË është i vetmi mjet për daravitjen e çdo mjegullnaje, përsa i përket qëllimit të investimeve të ardhëshme të pazakonta në Shëndetsinë Publike Shqiptare. Të shpresojmë vetëm për të mirë!

*Marrë nga profili i Facebook të Dr. Tritan Kalos

Video