Avokati i Popullit: “Kali i Trojës” që PS ngriti për Partinë Demokratike!

10 Dhjetor 2025, 20:32Pikëpamje SHKRUAR NGA ROBERT HASA
Avokati i Popullit

Nga Robert Hasa

Zgjedhja e Avokatit të Popullit është kthyer në “Kalin e Trojës” që socialistët futën në “kështjellën” e demokratëve duke përçarë grupin parlamentar të Partisë Demokratike. Mazhoranca socialiste ka të preferuar opozitarin Endri Shabani, ky i fundit hoqi dorë nga partia e tij, Nisma Thurje për tu ulur në karrigen e (Ombudsman)-it.

Endri Shabani u fut në listë edhe me firmat e deputetëve të PD, që u bën pishman më pas dhe kërkuan që lista e tyre të tërhiqet por Komisioni i Ligjeve i kryesuar nga Ulsi Manja, nuk e pranoi.

Në seancën plenarë të Kuvendit ku pritet te zgjidhet Avokati i Popullit do jenë 6 emra: Adriana Kalaja, Aranita Brahaj, Besim Ndregjoni, Skënder Haluci, Tartar Bazaj dhe Endri Shabani (i preferuari i socialistëve).

Deputetët demokratët që i dhanë firmat për Endri Shabanin nuk janë të rinj në parlament por emra të njohur në PD. Saimir Korreshi nga radhët e PD-së në një intervistë televizive tha se ne morëm urdhra nga krerët e partisë dhe grupit parlamentar, pra firmat për Endri Shabanin ishin me urdhër nga lart, por kur u kuptua që ranë në kurth tentuan të dalin por shumë vonë.

Këto veprime jo serioze nga deputetët e opozitës i bën të duken të përçarë në syrin e publikut dhe kjo me ndihmën e socialistëve. Kulisat që tentuan ti bëjnë poshtë tavolina me njëri-tjetrin mediat pranë mazhorancës i nxorën (me urdhër) për ta delegjitimuar kreun e PD, i cili në publik dilte në mbështetje të Besim Ndregjonit por ndërkohë I dhanë firmat Endri Shabani.

Kujtojmë se ky nuk është një rast i izoluar, në vitin 2022 Partia Demokratike propozoi dhe mbështeti zyrtarisht Ledio Brahon për Avokat të Popullit, por situata përfundoi në konfuzion dhe moskoordinim politik. Më herët në 2017 kur u zgjodh Erinda Ballanca pati akuza për pazare si pasojë e marrëveshjes së 17 majit mes Ramës dhe Bashës.

Edhe ditën e nesërme duket se historia do përsëritet. Opozita po shfaq dobësi të brendshme, mungesë vendimmarrjeje dhe një qasje që prodhon më shumë mjegull se sa garanci për një institucion të pavarur dhe të besueshëm.

Partia Demokratike me zgjedhjen e Avokatit të Popullit pati shansin e artë që të tregohej e hapur dhe transparente me një emër që mund të ishte një personalitet jashtë radhëve të saj. Për të dëshmuar se Avokati i Popullit do jetë një institucion për qytetarë dhe jo për interesat e tyre. Sot kur qeveria dhe mazhoranca socialiste janë të zhytur në probleme me drejtësinë, opozita po shfaqet edhe më e dobët dhe pa plan politik.

Për qytetarët, mesazhi është i thjeshtë; kur opozita nuk di çfarë do, humbet jo vetëm pozicionet, humbet besimin.

Nga ana tjetër mazhoranca socialiste i ka 83 vota dhe nuk duket në vështirësi që një votë përtej karrigeve të saj ta gjejë mes tre deputetëve të PSD-së, apo edhe mes partive të tjera opozitare gjatë votimit të fshehtë për të plotësuar 84 vota.

Pra marrëveshja “Nano-Berisha” që Avokati i Popullit ti takoj opozitës do zbatohet por me një kleçkë që opozitari i zgjedhur te jetë i preferuari i mazhorancës.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video