A mund të ndodhin këto gjëra në 2022-in?

30 Dhjetor 2022, 17:58Pikëpamje SHKRUAR NGA ALQI KOçIKO
Pamje nga Ukraina: Fëmijët, viktimat më të pafajshme të luftës

Këtë pyetje dukshëm naive, me siguri që njerëzimi ja ka bërë vetes gjatë shumë ngjarjeve dramatike të rrugëtimit të vet, të paktën në epokën moderne. Fjala vjen, në Luftën e Parë Botërore. Aq më tepër në të Dytën. Banorët e Ballkanit, shumë më afër në histori, janë shokuar në vitet 90-të me gjakderdhjen e ndezur nga luftërat e diktatorit serb Millosheviç, që filluan me Kroacinë e mbaruan me Kosovën. Akoma më afër, shqiptarët e vitit 1997 edhe sot pyesin veten sesi rrëshqitën në atë kaos dhe shkërmoqje të shtetit, të rendit publik dhe të vetë indit shoqëror, edhe pse i njohin mirë shkaktarët.

Sot Europa dhe bota e mbyllin vitin 2022 me 10 mujorin e një lufte të përgjakshme në Ukrainë; por dhe me plot përgjakje në zona të tjera të globit. Le të kujtojmë, ishte një vit që nisi me shpresën e mbarimit të pandemisë së Covid-19 dhe optimizmin e rikthimit në normalitetin e zhvillimit, modernizimit dhe rritjes së cilësisë së jetës.

Pra, si ka mundësi që lëshohen raketa, vriten fëmijë, gra e civilë, dërgohen ushtarë si mish për top në front, në vitin 2022?

Sigurisht që ka, dhe do të ketë mundësi, për sa kohë ekzistojnë regjimet autoritare e diktatorët luftënxitës, dhe për sa kohë ata nuhasin shenja dobësie dhe të çara në strukturën e rendit botëror. Pavarësisht epokës në të cilën jeton njerëzimi; atë të internetit dhe botës digjitale, apo të karrocave me kuaj. Vetë Shtetet e Bashkuara sapo kaluan një sprovë të fortë për sundimin e ligjit, dhe ende po përpiqen të menaxhojnë dhe të kuptojnë sulmin e beftë ndaj institucioneve demokratike më 6 Janar 2021. Si mund t’i ndodhte kjo Amerikës?

Nëse çdo e keqe ka dhe një të mirë, në rastin e botës demokratike agresioni rus ka riforcuar kohezionin e Bashkimit Europian dhe Perëndimit në përgjithësi. Ka rikthyer dhe vëmendjen ndaj Ballkanit, ku potenciali për riciklim krizash mbetet gjithnjë i lartë.

Por – dhe këtu e kam fjalën për Shqipërinë – dozat e shtuara të vëmendjes së BE-së dhe SHBA-së nuk mund të përjetohen me pasivitet. Mungesa e check and balance reale, një opozitë anemike që riprodhon premtime reformash teksa drejtohet ende nga dinozaurë të politikës, një qeveri nuk jep llogari sepse nuk ka kush t’ja kërkojë, një reformë në drejtësi që ende duket se ka mbetur në tentativë… të gjitha këto nuk sjellin thjesht pasivitet, por lodhje e mungesë shprese. Dhe rrjedhimisht, largim, ikje masive, sidomos të të rinjve, duke e bërë Shqipërinë vendin e tretë në botë për diasporën më të madhe jashtë vendit. Dhe kjo ndodh kur në letra, kemi bërë hapa serioze drejt integrimit në BE.

A mund ta mendonte kush se do të ndodhte kjo në Shqipërinë e 2022-it? Qeveria thotë se po, madje e quan mëse normale…. 

Video