Zv.ndihmës sekretarja e DASH takon Gledis Nanon: Ju vlerësojmë si një i diplomuar krenar në Akademinë e FBI-së

18 July 2022, 19:50Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Zv.ndihmës sekretarja e DASH takon Gledis Nanon: Ju vlerësojmë si
Gledis Nano dhe Lisa Johnson

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka zhvilluar diotën e sotme një takim me zv.ndihmës Sekretaren e Shtetit amerikan për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, Lisa Johnson.

Sipas njoftimit të autoriteteve, në fokus të takimit ishin mbështetja dhe besimi që agjencitë ligjzbatuese amerikane kanë për Policinë e Shtetit shqiptar, për të punuar bashkërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Diplomatja amerikane Lisa Johnson ka vlerësuar angazhimin dhe vendosmërinë e Gledis Nanos, si një i diplomuar krenar në Akademinë e FBI-së, për të pasur një polici të pastër dhe të aftë në luftën kundër krimit të organizuar.

Nano e ka falënderuar zyrtaren e lartë amerikane, për vlerësimin, besimin dhe mbështetjen e fuqishme që ajo dhe të gjitha agjencitë ligjzbatuese amerikane po i japin Policisë së Shtetit, duke e garantuar se Policia e Shtetit shqiptar tashmë është maksimalisht e angazhuar dhe e vendosur për të punuar ngushtësisht me partnerët ndërkombëtarë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Lisa Johnson: “Ne ju vlerësojmë maksimalisht ju si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit shqiptar dhe si një i diplomuar krenar në Akademinë e FBI-së dhe ju mbështesim fuqimisht në angazhimin tuaj për një polici shteti të pastër dhe efektive, të aftë për të trajtuar krimin më të rëndë dhe për të shërbyer si një partner i fortë për homologët e saj ndërkombëtarë të zbatimit të ligjit. Qeveria e SHBA-së do të rrisë ndihmën për Policinë e Shtetit shqiptar, për të përmbushur këtë mision”.

Gledis Nano: “Që në marrje të kësaj detyre isha i bindur se sfida të mëdha më prisnin. Dua t’ju siguroj juve dhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë, po ashtu dhe qytetarët e vendit tim, se jam shumë i vendosur dhe i bindur se sfidat që kam marrë përsipër janë në interes të qytetarëve dhe në funksion të qëllimit të përbashkët me partnerët, luftën pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Mbështetja e partnerëve strategjikë është një motiv shumë i fortë për mua, për të vazhduar i sigurtë krah partnerëve tanë, në përmbushje të misonit në interes të qytetarëve të vendeve tona”.


Video