Një tjetër makinë e djegur është gjetur ditën e sotme në zonën e Bubqit e cila dyshohet se është përdorur nga autorët e atentatit të ditës së djeshme në mbikalimin e Fushë-Krujës, ku humbën jetën tre persona, Brilant Martinaj, Diklen Vataj dhe Besmir Hoxhaj.
Policia shkruan se mjeti tip “Volksvagen” është gjetur i shkrumbuar rreth orës dy të mëngjesit të sotëm.
Dyshohet se kjo është makina e dytë që është përdorur nga autorët e masakrës së ditës së djeshme ku rreth orëve të drekës ekzekutuan me 90 plumba tre të rinjtë.
Njoftimi i policisë:
Më datë 18.07.2022, në orët e para të mëngjesit, në fshatin Ahmetaq, ka marrë flakë dhe është djegur plotësisht një automjet i parkuar tip “Volkswagen”. Punohet për saktësimin e rrethanave të ngjarjes.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.