Janë zbardhur detaje të reja nga aksidenti i regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në urën e Mbrostarit në Fier.
Mësohet se drejtuesi i mjetit, që dyshohet se ka rënë në lumë dhe e ka marrë rrjedha e ujit është shtetasi Mateo Lika, i cili e kishte marrë me qira mjetin tip "Golf".
Dyshohet se Mateo Lika ka qenë nën efektin e alkoolit dhe duke e ngarë makinën me shpejtësi të lartë. Dyshohet se në mjet ka patur dhe persona të tjerë.
Policia gjeti në vendin e ngjarjes parmakët e hekurt të urës të shkatërruar, ku një pjesë prej tyre kanë përfunduar në lumë. Gjithashtu, u gjet edhe një targë.
Efektivët dhe zjarrfikësit kanë krehur të gjithë zonën e rrjedhën e lumit, por në te nuk duket asgjë. Pritet ardhja e polumbarëve, për të vijuar kërkimet.
Njoftimi:
Fier/Informacion paraprak
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në vendin e quajtur "Ura e Mbrostarit", janë konstatuar të thyer parmakët anësore të njërit krah të kësaj ure.
Në anë të rrugës është gjetur targa e një automjeti. Nga verifikimet rezultoi se kjo targë i përket një automjeti të marrë me qera nga shtetasi M. L., 26 vjeç, banues në Fier, me të cilin nuk është bërë e mundur marrja e kontaktit pasi numri telefonit del i fikur.
Priten polumbarët e Renea-s për të kontrolluar përgjatë lumit me qëllim gjetjen e automjetit nëse ka rënë në lum.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.