Policia ka zbardhur atentatin ndaj Briken Sanajt natën e 30 Tetorit tek Kodra e Diellit, përmes pamjeve filmike të kamerave të sigurisë në zonë, por dhe dokumentimin me prova të tjera shkencore.
Në foton e mëposhtme është pikërisht momenti kur kamerat e sigurisë kanë fiksuar 39-vjeçarin Vladimir (Valmir) Kola, i dyshuar si autori i vrasjes së Sanajt. Dy ditë pas atentatit, Kola është larguar nga Shqipëria dhe sot gjykata e Tiranës ka lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar

Vrasja dyshohet se ka ndodhur për gjakmarrje pasi familjet Kola dhe Sanaj ishin në konflikt prej mbi 10 vitesh për shkak të ngacmimit të një vajze.
Në vitin 2010 konflikti u ashpërsua dhe vëllai i vogël i Briken Sanajt plagosi një prej djemve të familjes Kola. Mes familjeve nisi një hasmëri që pavarësisht përpjekjeve për pajtim nuk u realizua. Ata bënin lëvizje të kontrolluara, për shkak të këtij konflikti dhe nuk ekspozoheshin në publik.
Bashkë me Vladimir (Valmir) Kola u shpallën në kërkim edhe dy persona nga Peja e Kosovës: Kened Antoni, 49 vjeç, dhe Gjelosh Krasniqi 25 vjeç.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se Kened Antoni i ka shitur automjetin "Mercedes Benz" Gjelosh Krasniqi , më datë 24 Tetor, dhe po në këtë datë,ata e kanë futur këtë automjet në territorin e Shqipërisë dhe ia kanë vënë atë në dispozicion Vladimir (Valmir) Kola, i cili e ka përdorur automjetin për realizimin e vrasjes së Briken Sanajt.
Natën e 30 Tetorit, Sanaj ka qenë duke mbyllur makinën te garazhi i pallatit ku jetonte dhe është takuar me tre persona të njohur në trotuar.
39-vjeçari ishte fillimisht në Lezhë, në dasmën e kushëririt të tij. Kur ka mbaruar dasma, ata kanë sjellë nusen në Tiranë tek pallati ku jetonte prej më shumë se një viti. Kur ka zbritur nga makina ai është qëlluar për vdekje nga një distancë e afërt nga një makinë në lëvizje.
Autorët kanë arritur të largohen dhe makina e tyre tip “Benz” u gjet e djegur pas ngjarjes, në Qafë Kashar, ndërsa brenda saj u gjet një kallashnikov. Sipas informacioneve, makina ishte me targa të vjedhura vetëm pak ditë para ngjarjes në Tiranë.