Vogëlushja që humbi jetën sot në tragjedinë e plazhit të Potamit në Himarë ishte e afërme e pedagoges dhe aktivistes së njohur Ilirjana Kuçana.
Këtë gjë e ka bërë me dije vetë Kuçana përmes një postimi në rrjetet sociale ku shkruan se është prekur thellësisht ende pa u informuar se viktima ishte e afërmja e saj e gjakut. Ajo zotohet se ky rast nuk do të mbetet pa zbardhur dhe pa përndjekur të gjithë zinxhirin e përgjegjësve.
"Çdo prind që ka parë lajmin e kobshëm është tronditur e ka kthyer thikën nga vetja. Së pari jam thellësisht në shok dhe e shkatëruar. Vajza që sot vdiq në aksidentin në Potam është vajza e djalit të dajës sim. Së dyti si prind i një fëmije të po së njejtës moshë jam prekur thellësisht pa u informuar se në fakt viktima ishte e afërmja ime e gjakut. Zotohem që ky rast nuk do të mbetet pa zbardhur dhe pa përndjekur të gjithë zinxhirin e përgjegjësve. Ky krim i kobshëm nuk ka vetëm një autor, atë të papërgjegjshëm që ka qenë duke drejtuar skafin. I shpreh thellësisht ngushëllimet kushëririt tim të parë, Bledit dhe bashkëshortes së tij për këtë humbje të madhe. Zoti i dhëntë durim! Ata prindër janë me të vërtet heronj dhe sot po i lutem Zotit që të gjejnë forcën për tu ngritur përsëri në këmbë pas kësaj fatkeqësie! Zoti i ndëshkoftë këta njerëz!," - shkruan Kuçana.
Vogëlushja 7-vjeçare u përplas për vdekje nga skafi që drejtohej nga shefi i Seksionit të Policimit në Komunitet në Elbasan, Arjan Tase. Pas tragjedisë, ai është shoqëruar në komisariatin e Himarës, teksa është përjashtuar edhe nga radhët e Policisë së Shtetit.