Edhe këtë të mërkurë, pasagjerët që udhëtojnë me kompaninë Wizz Air janë hasur me vonesa të fluturimeve.
Prej disa ditësh kompania ajrore Wizz Air ka anuluar dhe devijuar disa fluturime. Këtë gjë e konfirmojnë dhe qytetarë në aeroportin e Rinasit.
Pyetje: Nga erdhët?
Pasagjeri: Milano.
Pyetje: Ju thanë gjë pse ju vonuan një orë?
Pasagjeri: Unë nuk e kisha të qartë pse u vonova.
Pyetje: Patët vonesa?
Pasagjerja: Po, pati ca.
Pyetje: Sa orë?
Pasagjerja: Një orë e gjysmë. Na e dërguan me email ne. Që dje ishte vendosur që do të kishte vonesa.
Tv Klan kontaktoi me kompaninë për të marrë një sqarim mbi situatën me të cilën u përballën pasagjerët në aeroporte. Në përgjigjen e saj, Wizz Air thotë se anulimet dhe vonesat kanë ndodhur si pasojë e motit të pafavorshëm.
“Anulimet dhe vonesat në dy ditët e fundit ishin për shkak të kushteve të këqija të motit dhe borës së madhe në të gjithë rrjetin tonë, gjë e cila pati një efekt negativ në shumë tregje ku operojmë.”
Dy ditë më parë një avion i Wizz Air i nisur nga Madridi, pasi nuk u ul dot në Rinas, përfundoi në Bari e më pas në Shkup. Për të ardhur në Tiranë pasagjerët u detyruan të marrin taksi e mjete të tjera.
Ndërsa një ditë më parë, 6 fluturime të kompanisë nga Rinasi drejt disa qyteteve në Itali, Holandë, Gjermani e Francë u anuluan. Wizz Air ka probleme të vazhdueshme me vonesat dhe anulimin fluturimeve edhe në vende të ndryshme të Europës.
BBC dhe media të tjera botërore raportonin pak kohë më parë së shtetas të shumtë europianë liheshin aeroporteve pa asnjë sqarim nga kompania.