
Një punonjës i Policisë së Shkodrës është pezulluar nga detyra dhe ka filluar një hetim për të pasi akuzohet se i ka vjedhur një zarf me para nga makina e një qytetari.
Autoritete bëjnë me dije se bëhet fjalë punonjësin e Policisë nënkomisar Sh. Gj., me detyrë specialist i Policisë së Rendit në Komisariatin e Policisë Shkodër.
Masa për të është marrë pas videos së publikuar nga JOQ, ku shihet teksa hyn në ambientin ku mjeti po pastrohej, e është afruar tek dera ku ka gjetur dhe ka marrë zarfin me para. Por nuk ka vënë re kamerat.
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër:
Në lidhje me një video të publikuar në portalin JOQ në të cilën shfaqet një punonjës policie në shkelje të procedurave standarte të punës, ju sqarojmë se: Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër ka pezulluar menjëherë nga detyra punonjësin e Policisë nënkomisar Sh. Gj., me detyrë specialist i Policisë së Rendit në Komisariatin e Policisë Shkodër, si dhe është njoftuar edhe AMP në lidhje me rastin.
Ndërkohë Drejtoria e Standarteve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për shkelje të rëndë. Policia e Shtetit siguron qytetarët se është e vendosur për të mos toleruar asnjë rast të abuzimit me detyrën apo të cenimit të imazhit të Policisë dhe të besimit të qytetarëve të Policia e Shtetit.