Vrasja e 37-vjeçarit Iljaz Çali mbrëmjen e djeshme dyshohet se është kryer nga vrasës profesionistë.
Sipas hetuesve autorët kanë lënë pak gjurmë në ekzekutimin e të riut. Hetuesit do ta kenë të vështirë për identifikimin e autorëve pasi, kur ka ndodhur atentati kanë qenë fikur edhe dritat e autostradës, në kudër të nismës që ka marrë qeveria për kursimin e energjisë.
Gjithashtu, ekzekutimi i Çalit është bërë në një zonë që nuk monitorohet nga kamera sigurie.
Një nga pistat ku janë përqendruar hetimet, është prishja e pazareve, por nuk përjashtohet mundësia as e një eliminimi për shkak të konkurrencës në biznes.
37-vjeçari rezulton se ka një biznes të shfrytëzimit të kromit në Bulqizë, të regjistruar si “Çali Metal”.
Zyra e këtij biznesi ndodhet në fshatin Nikël të Fushë-Krujës, ndërkohë që ka dyshime të forta që ekzekutimi i tij mbrëmjen e djeshme vonë të ketë ardhur si pasojë e konkurrencës për shfrytëzimin e galerive të Kromit në Bulqizë.