Tre pistoleta janë gjetur brenda makinës me të cilën udhëtonte Hamza Lici dhe Arlind Bushati, pasi ranë pre e një atentati me armë zjarri ditën e sotme në Dobraç të Shkodrës.
Policia e Shkodrës, gjithashtu ka konfirmuar gjetjen e një makine të djegur brenda së cilës ndodheshin edhe dy armë zjarri Kallashnikov, që dyshohet se janë përdorur nga autorët.
Hamza Lici mbeti i vrarë në atentat, ndërsa Arlind Bushati ndodhet në gjendje të rëndë në spital, me një plumb në kokë.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit të dhënë më parë për ngjarjen e ndodhur në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, ju informojmë se:
Nga kontrolli i ushtruar në automjetin që udhëtonin shtetasit H. L., dhe A. B., u gjetën 3 armë zjarri (pistoleta).
Ndërkohë shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të zonës për kapjen e autorëve, në fshatin Golem kanë konstatuar të djegur plotësisht një automjet tip “Range Rover” dhe 2 armë zjarri automatike.
Grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po vijon punën për zbardhjen e rrethanave, sigurimin e provave me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.