
Presidenti i FSHF-së Armand Duka i ka shprehur ngushëllimet Alban Bushit, trajnerit të kombëtares “U-21”, i cili humbi prindërit në një aksident tragjik rrugor në Greqi.
“Sapo mësova lajmin e dhimbshëm për ndarjen tragjike dhe të parakohshme nga jeta të dy prindërve të jashtëzakonshëm, njerëzve të mirë, Ali dhe Bukurije Bushi, në një aksident në Greqi.
Në këtë moment të vështirë, mendimet e mia shkojnë tek Albani dhe të gjithë anëtarët e tjerë të familjes, që përveç trishtimit për këtë humbje të madhe, do të përballen edhe me mungesën e pamatë të dashurisë prindërore.
Në emrin tim personal dhe të Federatës Shqiptare të Futbollit, ku Albani ka kaluar shumë vite si pjesë e kësaj familjeje të madhe, shpreh ngushëllimet më të sinqerta.
Qoftë kujtimi i tyre i paharruar”, shkruan Duka në mesazhin e tij.
Aksidenti i rëndë ndodhi sot në rrugën “Egnatia”, në aksin Veria - Selanik, pranë Kouloura Imathias.
Furgoni me targa P"MX-8942" i drejtuar nga 47-vjecari grek Marios Simitliotis është përplasur me automjetin tip “Mercedes-Benz” me targa shqiptare "AB 454 GF" që drejtohej nga 75-vjecari shqiptar Ali Bushi.
Si pasojë e përplasjes kanë humbur jetën 75-vjecari Ali Bushi dhe pasagjerja 71-vjecare Bukurije Bushi. I plagosur lehtë ka mbetur edhe shtetasi grek, i cili është arrestuar nga policia.