Trau te Rruga e Kombit ‘vjedh’ edhe me kursin e këmbimit, 460 mln lekë çdo vit

29 June 2022, 21:28Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Trau te Rruga e Kombit ‘vjedh’ edhe me kursin e këmbimit, 460
Trau te Rruga e Kombit ‘vjedh’ edhe me kursin e këmbimit

Kompania koncesionare në pronësi të Shefqet Kastratit dhe Pëllumb Salillarit që ka vendosur traun në Rrugën e Kombit po fiton miliona lek në ditë vetëm nga mosaplikimi i kursit të këmbimit ditor.

“Albania Highway Concession” e këmben një euro me 132 lekë, sipas denoncimit të bërë nga gazetari Emirjon Senja.

“Pavarësisht si shkon kursi i këmbimit të lekut me euron, kompania mban një kurs fiks për ata që paguajnë në lek tarifën te trau. Nëse shkon me euro, do të paguash 5 euro, por nëse shkon me lek, tarifa është fiks 660 lek, me një kurs këmbimi 132 lek për 1 euro”, shkruan Senja.

Ky kurs këmbimi ka qenë në momentin që është lidhur kontrata e koncesion. Prej asaj kohe euro është luhatur gjithmonë me ulje dhe sot këmbëhet me 118 lek. Me këtë kurs, çdo autoveturë do të duhej të paguante rreth 600 lek, pra 60 lek më pak.

Diferenca duket e vogël, por sipas përllogaritjes së bërë nga gazetari Emironj Senja, kjo diferencë u merr qytetarëve rreth 46 mln lekë të reja në vit.

“Përllogaritet që në Rrugën e Kombit të kalojnë mesatarisht 4 200 mjete në ditë (Studimi që u bë para dhënies së koncesionit të mirëmbajtjes). Marrim të mirëqenë që gjysma e tyre janë mjete që vijnë nga Kosova në Shqipëri dhe normalisht paguajnë me euro duke mos u goditur nga kursi i çmendur i traut, ndërkohë gjysma tjetër (2100 mjete) që nisen nga Shqipëria në Kosovë dhe rrjedhimisht paguajnë në lek, ku trau ua shet sa frëngu pulën euron. Sipas një përllogaritjeje të thjesht, duke marrë të mirëqenë se të gjitha janë autovetura, ndërkohë që ka edhe kamionë, apo autobusë që paguajnë më tepër, vetëm nga kjo diferencë e çmendur në kursin e kembimit, përdoruesve të kësaj rruge që nisen nga Shqipëria për në Kosovë u merren abuzivisht 126 000 lek në ditë, ose deri 45 990 000 lek në vit në varësi të kursit të këmbimit”, shkruan Senja.

Gazetari thotë se këto janë para si një bisht në të ardhurat e majme të koncesionit.

“Na kanë kthyer në pagues tarifash, faturash, gjobash e kredish të bindur pa asnjë të drejtë. Nëse ky nuk është sundim oligarkësh, çfarë është tjetër?”, mbyll postimin e tij gazetari.


Video