
Fundjava në plazh duket se po kthehet në makth për shoferët pasi krijohet trafik i rënduar gjatë kthimit për në shtëpi.
Këtë të diel ka trafik të rënduar nga zona e Radhimës deri tek Uji i Ftohtë në Vlorë por edhe në autostradën Durrës-Tiranë.
Përveç turistëve të huaj, edhe vendasit zgjedhin bregdetin në fundjavë për t'i 'shpëtuar' temperaturave të larta. Shefi i qarkullimit rrugor, Altin Qato foli para mediave duke thënë se Radhima-Uji i Ftohtë është aks problematik për fluksin e mjeteve në çdo sezon veror.
Në terren ka edhe shtim të efektivëve të Policisë Rrugore dhe të Rendit që përpiqen të menaxhojnë trafikun në qytetin e Vlorës në mënyrë që të mos ketë probleme në qarkullimin rrugor.
“Për të rritur gatishmërinë maksimale, për të krijuar rrugë sa më të sigurta dhe për të rritur parametrat e sigurisë dhe për të pasur mbarëvatjtje trafiku sa më normale.
Fluksi është i shtuar dhe jemi në këtë aks rrugor sepse çdo sezon veror, është tepër i ngarkuar sepse ka vështirësi në përballimin e fluksit të mjeteve.
Policia Rrugore ka bërë një plan që nga fillimi i sezonit veror deri në përfundim, 15 shtator, ka rritur gatishmërinë e forcave, qëllimi është të maksimalizojmë sigurinë rrugore por edhe të kemi trafik të kontrollueshme që të gjithë përdoruesve të rrugës t’i krijojmë akse sa më të lirshme”, tha Qato.
Nga aksi problematik i Vlorës për qarkullimin e mjeteve gjatë sezonit veror, Qato është ndalur në masat për sezonin turistik si dhe shtim të efektivëve në rrugë. Qato ka kërkuar edhe mirëkuptim të qytetarëve ndërsa ka theksuar se masat administrative do të jenë të ashpra për shkelësit.