
Policia e Elbasanit zbardh ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e 28 nëntorit në lagjen “Vullnetari”, ku u dëgjuan të shtëna me armë zjarri.
Uniformat blu informojnë se konflikti mes personave të përfshitë në ngjarje ka nisur disa ditë para 28 nëntorit.
Sipas Policisë disa ditë më parë ka ndodhur një konflikt për motive të dobëta midis shtetasve E. C. dhe B. B., gjatë të cilit shtetasi E. C. ka dëmtuar xhamin e automjetit në pronësi të shtetasit B. B..
Njoftimi i policisë:
Më pas më datë 28.11.2025, janë përfshirë në konflikt shtetasit B. B., E. C., Xh. B. dhe Sh. B., ku dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës, në pronësi të shtetasit F. P., ku banon shtetasi E. C.
Gjithashtu, shtetasi E. C. nuk ka kallëzuar ngjarjen. Ndërsa, shtetasi D. K., dyshohet se ka fshirë pamjet e kamerave të sigurisë së banesës së tij, e cila ndodhet pranë vendit të konfliktit, duke penguar zbulimin e së vërtetës.
Për rrjedhojë autoritetet kanë nisur procedimi penal për shtetasit B. B. (E. Ç.), 48 vjeç, D. K., 47 vjeç, E. C., 24 vjeç.
Ndërkohë kanë shpallur në kërkim shtetasit Xh. B., 40 vjeç dhe Sh. B., 50 vjeç (të afërm të shtetasit B. B.).
Kujtojmë se uniformat blu u njoftuan lidhur me ngjarjen pas telefonatës të bërë nga 66-vjeçari me iniciale F. P., i cili njoftoi në Polici se kishte dëgjuar të shtëna me armë afër banesës së tij.
Nga këqyrja e vendit ku dyshohet se ishte qëlluar, Policia nuk gjeti asnjë gëzhojë, si dhe në pjesën e sipërme të banesës ku dyshohet se ishte qëlluar një herë me armë zjarri, nuk gjeti predhë plumbi.