Analisti Lorenc Vangjeli është përplasur ashpër sonte me deputetin e Partisë Demokratike, Agron Shehaj në studion e emisionit “Të paekspozuarit”, teksa po diskutohej për ligjin e investimeve strategjike në bregdet.
Sipas Shehajt, kushëriri i Gjiknurit ka marrë status investitor strategjik, por Vangjeli e kundërshtoi duke deklaruar se e ka verifikuar në gjendje civile dhe nuk i rezulton kështu.
“17 jetë të kalosh në bibliotekë nuk arrin dot të gjesh çfarë mund të them. Unë mbroj të vërtetën. Ta plas dyfekun në faqe”, i tha Vangjeli ndërsa Shehaj e mori këtë për kërcënim.
“S’ka lidhje është metaforë. Shpenzo një jetë, të kuptosh metaforën”, ia ktheu Vangjeli.
Analisti kundërshtoi Shehaj duke thënë se pohimi i Shehajt nuk është i vërtetë dhe se njeriu që ai pretendon se është djali i Damian Gjiknurit nuk është i vërtetë dhe për këtë ai tha se mjafton një kërkim i thjeshtë për të kuptuar se nuk janë asgjë.
“Jemi duke bërë një gjyq publik. Në një proces të mundshëm, zoti Shehaj duhet të tregojë çertifikatë të trungut familjar. Nëse ky person, babai i tij a është vëllai i Gjiknurit? Në të gjithë deklarimet deri tani, ky njeri konsiderohet si djali i xhaxhait të Gjiknurit. Mbi këtë bazë ngrihet hipoteza. Në zyrat e gjendjes civile del tjetër gjë. Në Vlorë flitet goxha dhe më thonë se kompania për të cilën bëhet fjalë, ka në treg prej 30 vitesh, e krijuar nga babai i djalit dhe në këtë zonë kanë operuar duke marrë, toka private atje. Join venture me kompani kryesore, është bërë, ofrojnë pjesë të sipërfaqjes së tokës dhe financimi rreth 28 milionë.
Pra ky person nuk ka lidhje. Nuk është djali i xhaxhait të Gjiknurit. Babai i tij nuk është vëllai i babait të Gjiknurit. Kanë apo jo marrëdhënie sepse kanë thithur ajër në të njëjtin qytet? Gazetarët e mi më kanë vënë në dispozicion edhe padinë që është depozituar sot. E shoh pak të përpjetë procesin, ju keni barrën e provës. Duhet të vërtetoni fjalinë e parë. Ka disa probleme, statusin si investitor strategjik e ka marrë Albstar, që ka ndërtuar stadiumin dhe më thonë se atje kaloni shpesh ju. Janë bërë hetime dhe gjykim dhe ky zotëria nuk përmendet. Unë kam vërtetuar se pohimi juaj nuk është i vërtetë se ai nuk është djali xhaxhait”.