Artan Tafani ka rrëfyer në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar tentativën për të vrarë avokatin Adriatik Guri.
Sipas bashkëpunëtorit të drejtësisë, Laert Haxhiu donte ta eliminonte avokatin sepse ndihmonte kundërshtarin e tij. Tafani pretendon se atë kohë, Haxhiu dhe bashkëpunëtori i tij, Lulzim Arapi kishin qasje në kamerat e policisë.
Pavarësisht se pretendon se e ka ruajtur avokatin, Tafani dëshmoi në gjykatë se nuk mund ta bënte krimin pasi Gurin e ka kushëri.
“Mora një shtëpi me qira në Lushnje. Qëllimi ishte të vrisnim avokatin Adriatik Guri. Unë e ruaja avokatin, ndërkohë që unë e kam kushëri. Laerti donte ta vriste, sepse sipas tij, avokati ndihmonte hasmin e tij. Ata kishin kamerat e policisë, kishin kodin, dhe më ruanin edhe mua. Lulzim Arapi erdhi në shtëpinë ku isha dhe solli një pistoletë tip CZ me dy silenciatorë. Vazhdonim ta ruanim avokatin. Unë rrija aty te lokali ku vinte edhe ai, por i thashë që nuk mund ta bëja, sepse ishte kushëri me mua. E lamë që do ta bënte Lulzimi. Një natë na iku ai. Unë u përfshiva nga frika, jo për lek. Laerti tha: ‘Do të bëhet’”, dëshmoi Tafani.
Sipas dëshmisë, atentati dështoi në momentet e fundit për shkak të ndërhyrjes së një banori të zonës, i cili vuri re sjelljen e dyshimtë të Arapit.
“Lulzimi ishte gati ta gjuante, ishim tek hyrja e pallatit duke pritur. Në një moment e dalloi një komshi aty, i tha: ‘Ç’a bën?’… fati i avokatit, e shpëtoi Zoti”, tregoi Tafani.
Ngjarja u tentua të realizohet në tetor të vitit 2021.
Pas këtij dështimi, Laerti Haxhiu anuloi urdhrin për atentatin ndaj avokatit dhe vazhdoi të japë udhëzime nga Greqia, ku sipas Tafanit, kalonte me ndihmën e një personi nga Saranda.
Në vijim të dëshmisë, Tafani tha se pas Tiranës, udhëtuan drejt Pogradecit, ku qëndruan në vilën e Mariglen Topuzit. Aty, Laerti kishte shpallur një tjetër objektiv për eliminim: Elton Mermalin.
Artan Tafani u arrestua pas grabitjes së një pike valutore në Tiranë ndërsa mori statusin e të penduarit të drejtësisë duke folur për disa ngjarje që sipas tij janë kryer nga grupi i Laert Haxhiut.