SPAK i komunikon akuzën për shpërdorim detyre ish-drejtoreshës së ARRSH, Sonila Qato

26 October 2022, 10:28Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

SPAK i komunikon akuzën për shpërdorim detyre

Pasi u thirr në SPAK për hetimet lidhur me aksin Kardhiq-Delvinë, Prokuroria e Posaçme i ka komunikuar sot akuzën për shpërdorim detyre ish-drejtoreshës së ARRSH, Sonila Qatos.

Qato u thirr në SPAK edhe më 3 Tetor, kur qëndroi në ambientet e Prokurorisë së Posaçme rreth 2 orë. Pas daljes, në një prononcim për gazetarët, Qato tha se ishte pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për hetimet që SPAK po kryen për tenderin e rrugës Kardhiq-Delvinës.

“Është një procedurë e cila ka filluar sikurse e dini 3 vjet më parë, me dorëheqjen time nga ARRSH. Një procedurë nga e cila dhashë detaje nga rrethanat e çështjes, në dijeninë time. Procedura e kallëzimit është procedura e Kardhiq-Delvinës. U pyeta në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e çështjes”, tha ajo. Vetë Qato tha se hetimet e prokurorisë po zhvillohen për shkelje të barazisë në tendera.

“Mesa u njoftova për shkelje të barazisë në tendera. Përderisa prokuroria është duke kryer veprimet e veta proceduriale unë mendoj edhe shkaku i dorëheqjes time në 2019 ka qenë pikërisht dhënia e mundësisë prokurorisë për të vënë drejtësi dhe për të nxjerrë të vërtetën në pah, kështu që lejojeni prokurorinë ashtu sikurse dhe unë, të bëjë detyrat e veta”, deklaroi.

Kush është Sonila Qato:

Pak e njohin, por në fakt Sonila Qato është njeri i ngushtë i kryeministrit Rama ku prej vitit 2008 ka qenë një nga bashkëpunëtoret e tij më të afërta!

2001-2007 ka punuar ne zyrën e prokurimeve të Bashkisë Tiranë, 2007-2011 ka mbajtur detyrën e drejtores së pergjithshme të urbanistikës dhe kontrollit të territorit.

2012-2013 Edi Rama e zgjedh shefen e kabinetit të tij, gjatë fushatës zgjedhore ku socialistët erdhën në pushtet!

2013- 2017 mbajti një nga postet më të rëndësishme në fushën e pronave dhe përpara se të zgjidhej drejtoreshë e ARRSH u emërua nga kryeministri si ministre shtetit për mbrojtjen e sipërmarrjes! 

Si ndodhi rrugëtimi i Qatos për në SPAK

Kujtojmë se më 19 shtator të 2019 Sonila Qato u detyrua të jap dorëheqjen nga posti i Drejtoreshës së Autoritetit Rrugor Shqiptar. Shkak u bë skandali me tenderin për lotin 7 të rrugës Kardhiq-Delvinë.

Në atë kohë drejtoresha e ARRSH-së, Sonila Qato anuloi tenderin në fjalë me argumentin se kompania  “Gjoka Construction” kishte paraqitur dokumenta të falsifikuar për të fituar tenderin për ndërtimin e këtij loti.

Në tenderin për lotin  7 të rrugës Kardhiq-Delvinë garuan 6 kompani, autoriteti Rrugor Shqiptar skualifikoi 5 ofertat më të ulëta duke shpallur fituese ofertën me çmimin më të lartë, atë të një bashkimi të katër shoqërive mes të cilave italianja “Ircop” dhe shqiptarja “Sulova”.

Por vendimi i ARRSH u ankimua nga kompania Gjoka, e cila kishte paraqitur ofertën më të ulët në tender, saktësisht 4.3 milionë euro më pak se oferta që ARRSH shpalli fituese. Komisioni e gjeti të paligjshëm vendimin e ARRSH duke e urdhëruar atë të ndryshojë fituesin.

Por Sonila Qato refuzoi ta zbatonte vendimin duke akuzuar kompaninë Gjoka se kishte falsifikuar dokumentat në tendera. Më pas Ministria e Infrastrukturës vendosi që ta mbyllë çështjen duke urdhëruar ARRSH që të anulojë gjithë procedurën sepse fondi do të përdoret në një tjetër projekt më prioritar.

“Gjoka Construction” nuk e la çështjen me kaq, por vendosi ta çojë atë në prokurori, e cila edhe dy vite pas këtij kallëzimi vijon hetimet.

Në një deklaratë për mediat në atë kohë kompania ” Gjoka Construction”, mohoi që të ketë paraqitur të dhëna false për të fituar tenderin për ndërtimin e tunelit të rrugës Kardhiq-Delvinë.

Sipas tyre, hetimet e bëra në atë kohë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, kishin si qëllim favorizimin e kompanisë e “Ircop”.

Kallëzimi penal nga “GJOKA

Kompania “Gjoka Construction” paditi drejtoreshën e ARRSH-së, Sonila Qato, për prishje me qëllim të imazhit. Në një reagim për mediat, përfaqësues të kësaj kompanie kanë mohuar që të kenë paraqitur të dhëna false për të fituar tenderin për ndërtimin e tunelit të rrugës KardhiqDelvinë, që është “loti 7” dhe që u anulua. Sipas tyre, imazhi është prishur, pasi nisën hetimet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, hetim i cili sipas firmës, kishte si qëllim favorizimin e kompanisë e “Ircop S.p.a”, degë e shoqërisë së huaj, për të cilat nuk i kursyen akuzat.

Me 17 shtator, kompania “Gjoka Construction” dorëzoi një kallëzim penal në prokurori ndaj drejtoreshës së ARRSH-së, Sonila Qato. Sipas të dhënave të kohës, veprimi në fjalë erdhi pasi ARRSH-ja vendosi anulimin e procedurës së tenderit të ndërtimit të tunelit të rrugës Kardhiq-Delvinë, ku kompania “Gjoka Construction” ishte pjesë e garës. Në një prononcim për mediat, avokati i kësaj kompanie pretendoi se ARRSH-ja i ka bërë një skualifikim të padrejtë “Gjoka Construction”, duke favorizuar një firmë tjetër. Po ashtu, avokati pohoi se detyrimi që duhet t’i kthejë shteti kësaj kompanie është 7 miliardë lekë.

Ai akuzoi publikisht se ishte bërë korrupsion nga vetë drejtoresha e ARRSH-së. Sipas mbrojtësit të firmës “Gjoka”, u bë me dije se ishin 4.2 milionë euro të marra në mënyrë të padrejtë më shumë sesa do e kryenin ata veprën publike: “Ne kemi thënë që ekziston vepra penale e korrupsionit. Kjo nuk do të thotë se s’ka vepra të tjerë, si pabarazia në tenderë. Detyrimi që na ka për të kthyer ne është 7 miliardë lekë. E gjithë zhurma që është bërë ndaj kompanisë ‘Gjoka’ nga drejtoresha e ARRSH, ndaj të cilës bëmë edhe kallëzimin penal, është e padrejtë”, tha avokati, ditën e dorëzimit të kallëzimit, kallëzim që në fakt e çoi në dorëheqje ish-drejtoreshën Sonila Qato.

Në fakt, vetë Qato, në daljen publike, vetëm dy ditë pas këtij kallëzimi, kur dha lajmin se ishte dorëhequr t’i hapte rrugë hetimit, tregoi arsyet e largimit, si pak kush tjetër në raste të tilla në vendin tonë. Padia e KLSH Siç edhe ka qenë lajmëruar më herët, në SPAK ka qenë një padi ndaj Sonila Qatos nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Padia është me akuzën se është skualifikuar padrejtësisht në tenderin për rrugën Kardhiq-Delvinë një kompani, duke i kushtuar shtetit miliona lekë dëm. Auditimi në ARRSH nga KLSH-ja është bërë për periudhën e veprimtarisë nga data 1.1.2017 deri në datën 31.7.2019. KLSH-ja tha aso kohe se çështja që kemi kërkuar një hetim të thelluar nga ana e organit të Prokurorisë ka të bëjë me ligjshmërinë e zbatimit të procedurës së prokurimit me objekt: “Ndërtim rruga Kardhiq – Delvinë, Loti 7, me fondin limit 2,332,573,946 lekë, të zhvilluar në korrik 2019”.

Motra e Dallandyshe Bicit e pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera

Elona Gogo, motra e drejtoreshës së Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Dallëndyshe Bici, është marrë e pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera. Akuza i është komunikuar nga Prokuroria e Posaçme, e cila në finale të një hetimi 3-vjeçar zbuloi shkelje të kryera në tenderin e rrugës Kardhiq-Delvinë.

Sipas SPAK, Elona Gogo, ish-kryetare e komisionit të vlerësimit të ofertave, në ARRSH, në kundërshtim me ligjin skualifikoi nga gara kompaninë Gjoka, duke favorizuar atë fituese.

Burimet konfirmuan se Gogo, e cila ka mbajtur pozicione të ndryshme në administratën publike dhe institucione të rëndësishme shtetërore, u paraqit në institucionin e akuzës dy ditë më parë e shoqëruar nga avokati i saj Sokol Hazizaj. Pasi është njohur me aktet, ka deklaruar se brenda afatit 10-ditor do të paraqesë argumentet e saj kundër akuzës.

Për të njëjtin tender, pritet t’i komunikohet akuzë edhe ish-drejtoreshës së Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato. Ish-zyrtarja ishte ftuar nga SPAK për t’u njohur me rezultatet e hetimit me datë 20 tetor, por nuk u paraqit, për arsye shëndetësore.

Ish-zyrtares pritet t’i dërgohet një fletëthirrje e re nga ana e Prokurorisë. Hetimi për abuzime me tenderin e rrugës, Kardhiq-Delvinë nisi pas kallëzimit të kompanisë Gjoka, e cila merrte pjesë në tender për ndërtimit e njërit prej lotëve.

Kompania në fjalë kishte paraqitur mes të tjerash edhe një dokument, përmes të cilit kishte ndërtuar 70 për qind të tunelit në rrugën e Arbrit, rrugë që po e ndërton me koncesion.

Atëkohë, drejtoresha e Autoritetit Rrugor ngriti një grup pune për të verifikuar volumet e punimeve në tunel e duke vlerësuar se dokumenti i paraqitur nga Gjoka përmbante të dhëna jo të sakta u vendos skualifikimi i kompanisë nga tenderi i Kardhiq-Delvinës.

Për shkak të përplasjes së fortë më kompaninë në fjalë, Sonila Qato dha dorëheqjen. Ajo u pyet pak ditë më parë në prokurorinë e posaçme ku dha shpjegimet e saj për çështjen.


Video