Drogë nga Amerika Latine, SPAK godet grupin e strukturuar kriminal: 7 të arrestuar dhe 6 në kërkim

11 Korrik 2025, 17:53Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustruese

SPAk doli në një njoftim zyrtar pasi goditi një grup të strukturuar kriminal që merrej me trafikun e lëndëve narkotike nga Amerika Latine në vendet e Bashkimit Europian.

SPAK njoftoi se sot ka zhvilluar një operacion të gjerë në Shkodër, Elbasan, Vlorë dhe Tiranë ndaj personave nën hetim për këtë çështje.

Me vendim të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar janë arrestuar shtatë persona ndërsa gjashtë të tjerë janë në kërkim.

Këta të fundit, sipas SPAK, ndodhen jashtë vendit. Për këtë arsye janë lëshuar urdhër-arreste kombëtare dhe ndërkombëtare.

Po ashtu, SPAK ka sekuestruar disa makina të ndryshme si Maserati, Porche, Audi RS6, Audi E TRON, Volkswagen Golf 8, një motor Honda XADV, mbi 38 mijë euro, 200 dollarë, tetë telefona celularë (mes tyre disa të enkriptuar), një armë sportive, 40 fishekë të kalibrit 7.62 mm, kokainë dhe dokumente të ndryshme.

Hetimet

Prokuroria e Posaçme ka në dorë komunikimet e personave të dyshuar për këtë çështje në platformën Sky ECC. Ata komunikonin mes tyre për trafikun e lëndëve narkotike nga vendet e Amerikës së Jugut drejt BE-së.

“Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri në këto momente ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se personat nën hetim M. Gj., K. M., S. M., J. (alias I.) M., A.A., D. H., A. Gj., L.,(alias A.,) Ç., (alias H., I., Ç.,), L. L., S. L., në 7 (shtatë) episode, gjatë viteve 2020-2021 kanë konsumuar elementët e veprave penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal”, njoftoi SPAK.

Në këto shtatë episode të sekuestrimit të lëndëve narkotike janë kapur mbi 3.5 tonë kokainë, 701 kilogramë kanabis dhe 4.2 kilogramë heroinë.

Ndërkohë tre prej të hetuarve kanë konsumuar sipas SPAK tre episode për ushtrim të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

“Këta të hetuar, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim tek funksionarë të drejtësisë, me qëllim lehtësimin e masës së sigurimit personal apo zbutjen e masës së dënimit në episodet respektive, kundrejt përfitimit të shumave monetare prej 7,500 euro, 4000 euro dhe 4000 euro”, njoftoi SPAK.

Mes të arrestuarve është edhe shefi i Policisë Kriminale, njëkohësisht zv/shef i Komisariatit të Policisë nr. 3 në Tiranë. Ai, sipas SPAK, ka shpërdoruar detyrën pasi të dhënat nga TIMS ia ka vënë në dispozicion një prej personave nën hetim. Erion Dani është vetëdorëzuar në policinë e Himarës pasi ka parë emrin e tij në media që ishte në kërkim.

Nga hetimet ka rezultuar është zbuluar edhe një rast i dhënies së ndihmës për kalimin e paligjshëm të kufirit. Bëhet fjalë për një rast të zbuluar më 8 janar 2021 ku u kapën nga policia në ujërat detare 55 sirianë, që destinacion kishin Italinë.

Ndërkohë një prej të arrestuarve u kap në flagrancë me armë pas kontrolleve të ambienteve.

SPAK thotë se po vijon hetimet për të identifikuar personat e tjerë që dyshohet se janë përfshirë në këto veprimtari të paligjshme kriminale.


Video