Prokuroria e Posaçme ka dhënë pretencën duke kërkuar 28.8 vite burgim për 5 të akuzuar për atentatin ndaj ish-prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja dhe Aleksandër Lahos më 1 Nëntor 2019. Nga atentati në autostradën Tiranë-Durrës mbeti i vrarë Andi Maloku, shoferi i ish-prokurorit Ndoja. Të tre udhëtonin në të njëjtën makinë “Mercedes”.
Në seancën e sotme, Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e Ramazan Rrajës për gjykim të shkurtuar, si dhe për të pandehurit e tjerë.
Për Rrajën, SPAK kërkoi 11 vite burgim, që me gjykim të shkurtuar ulet në 7.4 vite.
Për Genti Nderjakun kërkoi 9 vite burgim, që me gjykim të shkurtuar ulet në 6 vite.
Për Bashkim Haxhinë kërkoi 8 vite burgim që ulet në 5.4 vite burg.
Për Endrit Sinanin SPAK kërkoi 7.6 vite burgim që ulet në 5 vite.
Për Julian Pjetrin u kërkua 7.6 vite burgim që me gjykim të shkurtuar ulet në 5 vite burgim.
Pas dhënies së pretencës, avokatët kërkuan kohë që të përgatisin mbrojtjen. Seanca e radhës u caktua më datë 2 Tetor ora 09:00.
Arjan Ndoja ka qenë prokuror i Durrësit kur iu bë atentat.