Zbardhen emrat e 13 kandidatëve për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit

17 Shtator 2024, 10:40Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Policia e Shtetit

Teksa ka mbetur edhe një ditë nga përfundimi i afatit zyrtar 7 ditor për aplikimin për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit janë zbuluar emrat e 13 kandidatëve.

Ata janë: 

1.    Skënder Hita

2.    Lufti Minxhozi

3.    Ilir Proda

4.    Idajet Faskaj

5.    Neritan Nallbati

6.    Gentjan Shehaj

7.    Ardian Çipa

8.    Sami Rasha

9.    Edmond Sulaj

10.   Pëllumb Seferi

11.   Adriatik Tafçiu

12.   Saimir Boshnjaku

13.   Shemsi Prençi

Mes emrave që spikasin është ai i Skënder Hitajt, drejtori aktual i Policisë së Durrësit, një kandidat me potencial që ka shfaqur interes për të qënë në garën për kreun e Policisë së Shtetit.

Kandidat tjetër është edhe Lutfi Minxhozi, i cili prej shumë vitesh ka shërbyer si Drejtor i Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit dhe njëherësh dhe Drejtor i Interpol Tirana.

Një tjetër emër është Neritan Nallbati, Drejtori aktual i Drejtorisë së Krimit të Organizuar dhe hetimit të Krimeve të Rënda. Ai u përjashtua nga policia, por u rikthye në polici në vitin 2015 menjëherë pasi në pushtet erdhën socialistët.

Gjithashtu, interes për të qenë pjesë e garës dhe pse jo Drejtori i ardhshëm i Policisë së Shtetit, mësohet se është dhe oficeri me gradën “Drejtues i Lartë”, Pëllumb Seferi.

Rebani Jaupi, është një tjetër emër që ka kandiduar për postin e policisë së Shtetit. Jaupi ka mbajtur disa detyra të larta në polici dhe plotëson të gjitha kushtet për të qenë në krye të kupolës së uniformave blu.

Por në këtë garë ai ndiqet nga Ilir Proda, një tjetër drejtues policie i lartë, që ka çuar dosjen e tij për të konkurruar për kreun e Policisë së Shtetit.

Ilir Proda, aktualisht, ushtron detyrën në policinë e Elbasanit. 

Një tjetër emër që mësohet se ka shfaqur interes dhe ka kandiduar është dhe ish-oficeri i Policisë Gjyqësore dhe njëherësh ish-prokurori Shkëlqim Hajdari.

Hajdari ka eksperiencën e duhur ligjore dhe njëherësh eksperiencën policore, pasi për vite me radhë ka shërbyer në repartin special “RENEA”.

Por në këtë garë Hajdari ndiqet nga konkurrenti tjetër Shemsi Prençi, një ish-drejtues policie që ka shërbyer në nivelet më të larta të Policisë së Shtetit.

Sami Rasha, ish-drejtori i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm aktualisht pedagog në Akademi, është kandidati i radhës.

Ai mësohet se ndiqet nga kandidatura e Adriatik Tafçiut dhe Gentjan Shehaj.

Ndërkohë mes emrave që bie në sy është ai i drejtorit të qarkut të Shkodrës, Edmond Sulaj, i cili u akuzua nga Gazment Bardhi se u emërua në këtë post nga krimi.

Kreu i Grupit të opozitës tha se për këtë ka disa biseda sekrete dhe të koduara nga platforma SKY ECC, të kapura nga partnerët ligjzbatues europianë, por zyrtari i policisë i mohoi dhe deklaroi se do e padiste Bardhin.

Pritet që ditën e mërkurë të përfundojë afati i dorëzimit të kandidaturave, duke shpalosur më pas konkurrencën profesionale dhe pikëzimin e dosjeve, deri në shpalljen e fituesit.

 

Video