Vijon mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku do të votohet shkarkimi i Erion Veliajt nga posti i kryetarit.
Këshilltarët e opozitës dhe të maxhorancës duket se bashkohen në votën pro shkarkimit të Veliajt, megjithëse secili për arsyet dhe argumentat e tij.
Endri Shabani tha se Veliaj duhet të ishte shkarkuar kohë më parë, ndaj këshilltarët socialistë duhet të kërkojnë falje, pasi u kanë harxhuar 7 muaj qytetarëve të Tiranës.
“Kërkesën për shkarkimin e kryetarit e kam sjellë në shkurt, kjo që keni paraqitur ju është e paplotë. Ta shohim si përgjegjësia publike na vendos mbi interesin, nuk e di nëse Veliaj është fajtor për të gjitha akuzat që i ka ngritur prokuroria, unë jam denoncues i tij. Por di që ai s’mund të jetë kryetar.
Duhet ta kishte dhënë dorëheqjen në dhjetor, kur shkoi në burg, në shkurt, në maj, megjithatë ai refuzoi, por jo pa lejen tuaj. Ai e ka mbajtur këtë qytet peng me lejen tuaj. Çdo anëtar i PS këtu duhet ta nisë me një ndjesë, që i ka humbur qytetarëve të Tiranës të paktën 7 muaj”, u shpreh Shabani.