Po kthehej në Shqipëri nga jashtë vendit, prangoset në aeroportin e Rinasit vlonjati i kërkuar prej pesë vitesh nga SPAK dhe GJKKO.
Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit njoftoi sot (23 shtator) se në hyrje të vendit identifikoi dhe arrestoi të kërkuarin me masë sigurie “arrest në burg”, Robert Myftari, 52 vjeç, banues në Vlorë.
GJKKO, me vendimin nr.63, të datës 22 qershor 2020, i ka caktuar në mungesë masën e sigurisë “arrest në burg”, për 5 veprat penale “trafikimi i lëndëve narkotike”, në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, “grupi i strukturuar kriminal” dhe “pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal”.
“I arrestuari është hetuar në kuadër të një procedimi penal nga SPAK ku nga hetimet ka rezultuar si i përfshirë në bashkëpunim dhe me shtetas të tjerë, në trafikimin e sasive të konsiderueshme të Cannabis Sativës nga Shqipëria në drejtim të vendeve të BE-së, në periudhën 2016-2018”, sqaroi policia.
Materialet hetimore ndaj tij i kaluan Prokurorisë së Posaçme për veprime të tjera proceduriale.