Mesazhi amerikan një ditë para zgjedhjes së kreut të ri të SPAK: Shpresojmë që pasardhësi i Altin Dumanit..

10 Dhjetor 2025, 19:46Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Lyn Debevoise me Dumanin dhe shefin e ri te BKH, Joni Keta

Zëvendësdrejtori për Çështjet e Europës Perëndimore Qendrore Lyn Debevoise vizitoi këtë të mërkurë SPAK-un për të shprehur vlerësimin e Shteteve të Bashkuara për punën e Kryeprokurorit të Posaçëm Altin Dumani me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit.

Në mesazh thuhet që që shpresohet që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe me pasardhësin e Dumanit në krye të SPAK.

Sakaq, në fotot e postuara shihet drejtuesi i sapozgjedhur i Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Joni Keta, si dhe prokurori Klodian Braho.

“Përballja me krimin ndërkombëtar kërkon një angazhim të përbashkët. Sot, Zëvendësdrejtori për Çështjet e Europës Perëndimore Qendrore Lyn Debevoise vizitoi SPAK-un për të shprehur vlerësimin e Shteteve të Bashkuara për punën e Kryeprokurorit të Posaçëm Altin Dumani me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit për t'u përballur me rrjetet e paligjshme që kërcënojnë sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe për të luftuar korrupsionin që pengon kompanitë dhe investitorët amerikanë. Përpjekjet e z. Dumani vendosën standardin për bashkëpunim të fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë kundër organizatave kriminale ndërkombëtare, i cili shpresojmë se do të vazhdojë me pasardhësin e tij”, shkruan në rrjetet sociale ambasada amerikane, një ditë para zgjedhjes së kreut të ri të këtij institucioni drejtësie.

Nesër, në orën 09:00, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të nisë procesin e intervistimit të kandidatëve për postin e drejtuesit të SPAK, duke i thirrur ata sipas rendit alfabetik.

Gjatë seancës, katër pretendentët Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho, do të prezantojnë vizionin dhe programin e tyre për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Pasuesi i Dumanit pritet të shpallet po ditën e nesërme, ndërsa zyrtarisht do e marrë detyrën më 19 dhjetor, datë kur do të mbahet ceremonia formale e dorëzimit të kompetencave.

 


Video