Vetëm dy shoferë kanë kaluar nga 73 gjithsej që u rifutën në testin e teorisë së patentës pasi kishin shkuar në zero pikë nga shkeljet e qarkullimit rrugor.
Këto ishin 75 rastet e para të referuara nga Policia e Shtetit për 2 muajt e parë nga futja në fuqi e aktit për rifutjen në testin e teorisë së lejës së drejtimit.
73 shoferët që kanë ngelur do t’u duhet të ndjekin nga e para mësimin në Autoshkollë për t’u ripërgatitur dhe për t’u riparaqitur për testim, çdo herë brenda një afati 30 ditor (me vetëm 1 mundësi prove).
Njoftimi i plotë:
Sot në Testin e rimarrjes së Leje Drejtimit pas humbjes së pikëve, teori e praktikë, vetëm dy persona kaluan. Kjo ishte seanca e 4-ët që nga zbatimi i dispozitës së re shtrënguese me rikthim në Autoshkollë. Kjo, për 2 muajt e parë që ky akt është në fuqi, nga 75 rastet e para të referuara nga Policia e Shtetit!
S’ka shpëtim përveç riedukimit për ata shkelës të rëndë të rregullave të qarkullimit që me aktet e reja në fuqi për të rifituar të drejtën e patentës duhet të regjistrohen nga e para në Autoshkollë e t’i rinënshtrohen testit teori-praktikë! 73 personave të riregjistruar, do t’u duhet të ndjekin nga e para mësimin në Autoshkollë për t’u ripërgatitur dhe për t’u riparaqitur për testim, çdo herë brenda një afati 30 ditor (me vetëm 1 mundësi prove)!
Konkluzioni: respektoni normat e qarkullimit rrugor sepse nëse do t’i humbni të gjitha pikët, do të riktheheni në Autoshkollë dhe më pas nën monitorim të rreptë do të rifitoni patentën vetëm nëse nuk keni mbi 3 gabime në pyetësorin me 30 fjali si edhe nëse kaloni në testin e praktikës! Këtë kohë, angari e kosto mund t’ia shmangni vetes duke u sjellë korrekt në timon e duke mos rrezikuar veten dhe të tjerët në rrugë!
Ju jeni problemi dhe po ju jeni zgjidhja!