Rëndohet bilanci nga atentati i Shkodrës, vdes në spital Arlind Bushati

30 Tetor 2024, 22:09Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Arlind Bushati

Arlind Bushati, i cili mbeti i plagosur rëndë si pasojë e atentatit në Shkodër, ka ndërruar jetë në orët e mbrëmjes në spital.

Arlind Bushati, 32-vjeç, është djali i Xhemal Bushatit, ish-kandidati të PD për Bashkinë e Shkodrës dy vite më parë.

32-vjeçari, në fillim të këtij muaji denoncoi në polici se dy persona që lëviznin me motor i kishin drejtuar armën teksa ndodhej në pedonalen e Shkodrës.

Në vendin e ngjarjes nga të shtënat në Dobraç humbi jetën edhe Hamza Lici.

Ky i fundit bashkë me Bushatin ishin në një makinë tip “Benz”.

Si pasojë e atentatit Hamza Lici dyshohet se ka humbur kontrollin e makinës dhe është përplasur me një motor.

Aty udhëtonin bashkëshortët Bashkim dhe Flutura Basha.

Kjo e fundit mori plagë të rënda dhe ndërroi jetë menjëherë në vendngjarje.

Ndërkohë Bashkim Basha vijon që të jetë në spital, në gjendje kritike për jetën.

Video